Policia ka arrestuar të mërkurën të dyshuarin N.K., 42 vjeçar nga Malisheva, për vrasjen e Enver Kelmendit me 12 shtator, nga e njëjta komunë.
“Sot me datë 14.09.2016 pas një pune intensive operativo hetimore, Sektori Rajonal për Hetime nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë në bashkëpunim me stacionin policor të Malishevës kanë arritur të identifikojnë dhe të arrestojnë personin e dyshuar. Personi i dyshuar është : N.K shqiptar/ kosovar i moshës 41 vjeçar nga komuna e Malishevës”, ka njoftuar zyra për informim e Policisë së Kosovës në Rajonin e Gjakovës.
Bëhet e ditur se rasti po vazhdon të hetohet nga Sektori Rajonal për Hetime në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit.
Të dielën, rreth orës 18:00, stacioni policor në Malishevë kishte marrë informatë lidhur me një person të zhdukur nga fshati Balincë e Malishevës, ndërsa një ditë pas, në ora 17:25 i humburi Enver Kelmendi u gjet pa shenja jete në automjetin e tij në afërsi të një pylli në fshatin Mirushë të kësaj komune.