Policia e Kosovës ka bërë të ditur se mbrëmë ka arrestuar edhe një të dyshuar për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.
Ndërkohë, në shtëpinë e të dyshuarit Policia e Kosovës ka gjetur granata dore, armë e municion.
“Në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, është zbatuar kontrolli në shtëpinë ku banonte i dyshuari, me ç’rast janë sekuestruar dëshmi dhe prova materiale, si më poshtë: Katër granata dore, një pushkë gjuetie, mbi 500 copë municion të kalibrave të ndryshëm, dy karikatorë të armës automatike AK-47, një karikatorë i pushkës së gjatë, një radiolidhje, një palë dylbi, një kamerë kamufluese, uniforma ushtarake dhe dokumente të ndryshme”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, me urdhër të Prokurorit përgjegjës të Prokurorisë Speciale, të dyshuarit thuhet se i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orëve.
Policia e Kosovës vlerëson se situata në veri është e qetë, por e brishtë.
“Situata e sigurisë në veri të vendit aktualisht vlerësohet e qetë, por siç e kemi bërë të ditur në vazhdimësi është një situatë e brishtë, e përcjellë me raste të natyrave të ndryshme kriminale, si rasti i fundit i sulmit kriminal terrorist i ndodhur ndaj infrastrukturës kritike në kanalin e ujit, dhe për këtë vazhdojnë masat shtesë të PK-së”, thuhet në njoftim.