Mërgimtari Rrahim Musliu ishte arrestuar me 24 maj në territorin e Serbisë. Ai u arrestua pasi në pjesën e përparme të veturës së tij e kishte të vendosur simbolin e shqiponjës.
Për rastin tashmë është informuar edhe Ministria e Punëve të Jashtme, të njëjtit konfirmuan se tanimë në dijeni janë edhe delegacioni i BE-së e misionet tjera diplomatike në Serbi.
“Për rastin në fjalë, ju njoftojmë se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Beograd, zyrtarisht ka njoftuar MPJD për arrestimin e shtetasit të Republikës së Kosovës, arrestimi i të cilit ka ndodhur gjatë kalimit tranzit në Serbi“, thonë nga ministria për Insajderin.
“MPJD është duke ndjekur me vëmendje zhvillimet e procedurës për rastin në fjalë, për ç’rast janë njoftuar edhe Delegacioni i BE-së dhe misionet tjera diplomatike në Serbi“.
Nga ministria po ashtu konfirmuan se janë në kontakt të vazhdueshëm me avokatin e Musliut, teksa shtuan se nuk mund të ndajnë detaje tjera për shkak të kërkesës së familjes.
“Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi, po qëndron në kontakt të vazhdueshëm me avokatin e shtetasit të Republikës së Kosovës për rastin e të cilit nuk mund të ndajmë më shumë informacion edhe me kërkesë të familjes së të arrestuarit“, deklaruan nga MPJD.
Musliu është arrestuar në prani të gruas së tij, shtetase gjermane nga policë të maskuar serbë, në hotelin ku ata vet e kishin vendosur.
Detaje më të hollësishme për dha edhe kryetari i degës së PDK-së në Kiel të Gjermanisë, Ndue Gjini.
“Rrahim Musliu është një mërgimtar si në kohën e ish-Jugosllavisë me ikje prej luftës në Gjermani, është një punëtor i thjeshtë, njeri familjar dhe gruaja e tij është gjermane, specialiste e zemrës në spital gjerman”.
Mërgimtari Musliu nuk ishte menjëherë në kufi, bazuar në informatat e Gjinit ai u arrestua sikur të ishte një kriminel, nga policë të maskuar të cilit iu kishin futur në hotelin ku e kishin vendosur vet.
“Përpara makinës së tij ka qenë i ngjitur flamuri kuq e zi ku Rrahim Musliu gjithmonë e ka deshtë dhe e do flamurin kuq e zi dhe në qoftë se Serbisë nuk i ka pëlqy kjo, është dashtë në kufirin e Serbisë, je i ndaluar nuk guxon në shtetin tonë me hy kështu, por jo me fut në shtet brenda dhe me arrestu”, ka shpjeguar Gjini.
“Në ditën e arrestimit (24 maj) i kanë qu në polici, pastaj i kanë liru ua kanë marrë pasaportat dhe ia kanë gjetë hotelin dhe i kanë thënë nesër keni me u lajmru në polici – çka bëjnë ata, të nesërmen i shkojnë me specialsa me maska edhe e kapin Rrahim Musliun”, potencoi ai.
Siç konfirmon kryetari i PDK-së në Kiel të Gjermanisë mërgimtari nuk ka shtetësi gjermane, atje po qëndronte me vizë.