Policia e Kosovës ka arrestuar në Prishtinë një të dyshuar për trafikim narkotikësh, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar.
Urdhër-arresti për shtetasin e huaj ishte lëshuar nga shteti gjerman.
Njoftimi i plotë:
Sot, më datë 27.01.2026, Policia e Kosovës, përkatësisht zyrtarët policorë nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor-ILECU, në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Stacionin Policor Jugu – Prishtinë, kanë realizuar arrestimin e një personi shtetas i huaj.
I dyshuari ishte në kërkim ndërkombëtar përmes INTERPOL-it, bazuar në urdhër-arrest ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet kompetente të shtetit të Gjermanisë, për veprën penale “Trafikimi i drogave narkotike në mënyrë të përsëritur dhe fitimprurëse”, vepër kjo e sanksionuar sipas legjislacionit penal gjerman.
Me urdhër të Prokurorit Kujdestar, i arrestuari është dërguar në ndalim policor për 48 orë, me qëllim të vazhdimit të procedurave të mëtejme ligjore, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe në luftimin e krimit të organizuar dhe veprave të rënda penale.