Arrestohet një 25-vjeçar për vrasjen në kazino në Lipjan

| 03 Pri 2019 | 23:09 | Nga

Një person 25-vjeçar është arrestuar sonte lidhur me vrasjen që kishte ndodhur, më 20 mars, në një kazino në Lipjan.

Kështu ka bërë të ditur Daut Hoxha, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

Në një prononcim për Klan Kosova, Hoxha tregoi se i arrestuari është me iniciale A.P. “Ai është duke iu nënshtruar procedurave policore”.

Hoxha tha se pas hetimeve intensive sonte rreth orës 20:00 është kryer arrestimi.

Me këtë rast janë konfiskuar dy armë, një veturë dhe prova të tjera materiale.

Në një prononcim për disa medie, Armend Hamiti, prokuror i rastit tha se i dyshuari është arrestuar pas një pune intensive dhe në koordinim me hetuesit.

“Do të shikojmë nëse ka edhe persona të tjerë të involvuar në këtë rast të grabitjes me pasojë vdekjen”, shtoi prokurori.

Florent Ahmetaj, 36-vjeçar, nga fshati Rezallë i Skenderajt, u qëllua për vdekje në një kazino në Lipjan, ku po punonte, besohet pasi tentoi të pengojë një grabitje.

Të ngjashme