Policia e Kosovës përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës ka arrestuar një person të dyshuar në fshatin Soqanicë të Leposaviqit, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.
Sipas njoftimit zyrtar, i arrestuari është mashkull, shtetas i Kosovës me nacionalitet serb. Hetimet paraprake tregojnë se ai dyshohet të ketë qenë pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP) të Serbisë gjatë luftës në Kosovë, i angazhuar në Stacionin Policor në Skenderaj.
Dyshimet lidhen me ngjarje të marsit të vitit 1999, ku i dyshuari, së bashku me pjesëtarë të tjerë të organizuar si grup, dyshohet se kanë marrë pjesë në një operacion policor-ushtarak në Skenderaj. Gjatë këtij operacioni, sipas hetimeve, civilët shqiptarë janë dëbuar me dhunë nga pronat e tyre, janë rrahur, torturuar dhe plagosur.
Po ashtu, dyshohet se si pasojë e këtyre veprimeve kanë humbur jetën 15 civilë shqiptarë, ndërsa 16 të tjerë janë zhdukur në dy lokacione të ndryshme në Skenderaj.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, me vendim të prokurorit të rastit, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Hetimet për këtë rast janë në vazhdim.