Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një të dyshuar i cili po barte rreth 11 kilogram substancë të dyshuar narkotike e llojit marihuanë.
Sipas njoftimit arrestimi është bërë në fshatin Llovcë, dje, rreth orës 14:30 nga njësia patrulluese e Policisë Kufitare në Gjilan, e që i arrestuari kishte tentuar të shmanget, ku gjatë largimit ka goditur njërin prej zyrtarëve policor, duke i shkaktuar lëndime trupore.
“Nga zyrtarët e njësisë kufitare është arritur të ndalohet vetura, të cilën e ngiste i dyshuari E.A., m/k (viti i lindjes 2001). Gjatë kontrollit në veturë janë gjetur dhe sekuestruar substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë me peshë të përgjithshme rreth 11 kg”, thuhet në njoftim.
Po ashtu nga Njësiti i Trafikimit me Narkotikë, në konsultim me prokurorin e shtetit janë ndërmarrë veprime hetimore duke kryer kontroll në dy shtëpi të banimit, ku nuk është gjetur asgjë e dyshuar.
Me vendim të prokurorit kujdestar i dyshuari është ndaluar për 48 orë, kurse është identifikuar edhe një person tjetër i dyshuar i cili gjendet në kërkim policor.
“Policia e Kosovës do të ndërmarrë masa dhe veprime ligjore ndaj të gjithë personave qe janë të përfshirë në vepra penale, në veçanti edhe ndaj atyre të cilët bëjnë trafikim me substanca narkotike”.