Me datën 29.02.2020, rreth orës 23:00, Policia në Vushtrri është njoftuar nga viktima mashkull se në rrugën “Galip Badivuku” dy persona kanë tentuar ta grabisin.
Sipas deklaratës së viktimës, bëhet e ditur se dy persona të maskuar dhe të armatosur e kanë goditur dhe kanë tentuar t’ia grabisin një zinxhir ari nga qafa. Të njëjtit i kanë shkaktuar lëndime trupore viktimës dhe më pas janë larguar në drejtim të panjohur.
“Veprimet e para hetimore ishin orientuar në bazë të përshkrimit të të dyshuarve nga ana e viktimës, ku më pas është identifikuar dhe është arrestuar njëri nga të dyshuarit e përfshirë në rast, ndërsa në cilësi të provës materiale është sekuestruar një motoçikletë e cila dyshohet të jetë përdorur nga të dyshuarit”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Pas intervistimit ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit policor, ku hetimet janë duke vazhduar për identifikimin dhe arrestimin e personit tjetër të dyshuar.