Sot në Prishtinë është arrestuar një i dyshuar që ishte në kërkim për rastin “Fajdeja”, derisa të dyshuar janë edhe 36 persona e të arrestuar janë 28 të tjerë.
“Po ashtu ende ka persona ne kërkim policor dhe me urdhër arrest te lëshuar. Gjatë hetimeve të rastit me autorizim të prokurorit të rastit dhe urdhëresë të gjykatës janë zhvilluar masa intensive të avancuara hetimore, ndërsa rasti është ende në hetim nga ana Prokurorisë Themelore në Ferizaj”, thuhet në komunikatën për media të Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës, përmes kësaj komunikate, ka sqaruar se Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë me datën 18 tetor 2022, ka iniciuar rast për veprën penale ‘Fajde’, ndërsa me datën 20 tetor 2022 në Prokurorinë Themelore në Ferizaj ka dorëzuar kallëzim penal.
Kallëzimi penal është dorëzuar kundër disa të dyshuarve, ndërsa gjatë hetimeve nën autorizimin e prokurorit të rastit me datën 04 maj 2023, ka dorëzuar edhe një raport plotësues të kallëzim penal në Prokurorin Themelore në Ferizaj, kundër disa të dyshuarve e në mesin e tyre edhe për të dyshuarin me inicialet A.G, i cili tashmë është i arrestuar.
“Më datën 17.05.2023, me urdhëresë të lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, është kryer kontroll në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit A.G. në Komunën e Vushtrrisë, ku gjatë kontrollit i dyshuari nuk është hasur në shtëpi dhe të njëjtit i është lënë ftesë që të paraqitet në polici në cilësinë e të dyshuarit, ndërsa po më të njëjtën datë 17.05.2023, i njëjti është vendosur në kërkim policor në sistemin e policisë dhe është arrestuar dje më datë 11.04.2024”, thuhet në komunikatën për media.