Një person është arrestuar dhe dërguar në mbajtje pasi dyshohet se i ndihmoi Faton Hajrizit pas arratisjes nga Qendra Korrektuese në Smrekonicë.
Në raportin 24 orësh të Policisë, thuhet se rasti është iniciuar si “Arratisje e personit të privuar nga liria” dhe “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale”, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Smrekonicë, Vushtrri 06.07.2024-05:00. Lidhur me rastin, më 20.07.2024 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, dhe i njëjti me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, pas arratisjes së Hajrizit për herë të nëntë nga burgu, autoritetet serbe kanë konfirmuar të premten se i njëjti është vrarë pasi një ditë më parë dyshohet se qëlloi për vdekje një polic dhe plagosi një tjetër në kufirin me Bosnjë e Hercegovinën.