Inspektorati Policor i Kosovës, ka njoftuar se hetuesit e Departamentit të Hetimeve në këtë institucion, kanë arrestuar në Zubin Potok një zyrtare policore me inicialet, B.T.
Në një komunikatë drejtuar mediave, është thënë se arrestimi i të dyshuarës është vazhdimësi e operacionit që ka ndodhur një ditë më parë në veri të Kosovës dhe disa komuna tjera.
Policia e Kosovës ka zhvilluar të martën një operacion në veri dhe jug të Mitrovicës që si qëllim kishte arrestimin e personave të dyshuar si të përfshirë në krim të organizuar dhe kontrabandë, në mesin e tyre edhe zyrtarë policorë dhe doganierë.
Aksioni rezultoi me arrestimin e 19 zyrtarëve policorë dhe të disa qytetarëve që penguan aksionin apo që ishin të dyshuar për përfshirje në këto aktivitete joligjore.
Ndërkohë, gjatë ditës së mërkurë, zëdhënësi i KFOR-it, Vincenso Grasso, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se autoritetet serbe kanë qenë të njoftuara për aksionin e Policisë së Kosovës më 28 maj.
Mirëpo presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë në anën tjetër se përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë “nuk e flasin të vërtetën” kur thonë se autoritetet në Beograd kanë qenë në dijeni për operacionin e Policisë së Kosovës në veri të Kosovës dhe se një gjë e tillë është lehtë të verifikohet.