Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve ditë më herët kishte pranuar një informacion sipas të cilit dyshohej se një zyrtar policor (i Njësisë Rajonale të komunikacionit rrugor në Gjilan) kishte kryer veprën penale “sulm seksual”.
“Në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan hetuesit e IPK-së kanë filluar procedurën hetimore që ka përfshirë edhe autorizimin e përdorimit të masave të fshehta të hetimit.
Si rezultat i veprimeve hetimore janë siguruar dëshmi në bazë të të cilave dyshohet se zyrtari policor ka kryer veprën penale të “sulmit seksual” dhe i njëjti dyshohet se ka pasur marrëdhënie seksuale me viktimën e këtij rasti (një e mitur)”, njofton IPK.
Bazuar në këto dyshime, sot në orët e pasdites është arrestuar zyrtari policor (i cili ishte jashtë detyrës zyrtare) dhe me vendim të prokurorit kompetent të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Përveç arrestimit, si pjesë e procedurës administrative i dyshuari (zyrtari policor) është suspenduar deri në përfundim të hetimit.
“Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës të prokurorisë Themelore në Gjilan”, përfundon njoftimi i tyre.