Reperi i njohur amerikan, Trey Songz, emri i vërtetë i së cilit është Tremaine Aldon Neverson, është arrestuar pasi besohet se është grindur me një polic në stadiumin “Arrowhead” në Kansas City, ku po zhvillohej loja e kampionatit të futbollit amerikan ndërmjet ekipeve, “Kansas City Chiefs” dhe “Buffalo Bills”. Ngjarja besohet të ketë ndodhur të dielën më 24 janar.
Disa dëshmitarë të kësaj ngjarje kanë deklaruar për “TMZ”, se Trey ishte bezdisur nga disa adhurues të cilëve u kishte kërkuar ta mbajnë qetësinë. Më pas një polic, pa qenë i provokuar, e kishte sulmuar fizikisht yllin 36-vjeçar të muzikës dhe sipas dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, Songz kishte vepruar në vetëmbrojtje.
“TMZ” e ka postuar edhe një video të zënkës mes policit dhe yllit të hitit “Back Home”, ku ky i fundit shihet duke e goditur policin në kokë. Më pas ai arrestohet nga disa policë të tjerë, derisa njerëzit përreth dëgjohen duke u thënë atyre ta lënë reperin të qetë, dhe ta arrestojnë policin i cili pa arsye e kishte sulmuar atë.
Përfundimisht, Trey Songz u arrestua dhe po akuzohet për shkelje të ligjit, rezistencë të arrestimit dhe sulm ndaj një polici. Ai po qëndron në burgim prej 24 orësh, dhe pritet të lirohet me kusht në mbrëmjen e së hënës.
Në muajin tetor të vitit të kaluar, ylli i hitit “Na Na” i cili e ka një djalë 20-muajsh, Noah, e bëri të ditur lajmin se kishte rezultuar pozitiv për COVID-19. Përmes një mesazhi të postuar në Instagram, reperi kishte deklaruar se po e merr seriozisht këtë virus, dhe u kishte kërkuar edhe të tjerëve që të kujdesen për veten dhe rrethin.