Arrestohet vëllai i Kryetarit të Vushtrrisë: E konfirmon edhe policia

Prishtinë | 08 Tet 2019 | 08:49 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka arrestuar sot Salih Tahirin, vëllanë e Kryetarit të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, dhe një person tjetër për ‘ushtrim të ndikimit’ .

Njësia e Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Mitrovicë sot ka arrestuar dy të dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Ushtrim i ndikimit’.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Metro edhe Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

“Sot, më 07.10.2019, Njësia e Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit e Mitrovicës ka arrestuar dy të dyshuar për përfshirje në veprën penale ‘Ushtrim i ndikimit’. Me aktvendim të prokurorit që të dy janë dërguar në mbajtje për 48 orë. Me respekt, Zyra për informim”, ka thënë ai.

Ndërkaq, ditë më parë Ahmet Tahiri, avokat i të dyshuarit Salih Tahiri, konfirmoi për Gazetën Metro se klienti i tij do të paraqitet në polici me datën 07.10.2019, e që i bie të jetë sot.

“Salih Tahiri nuk është arratisur nga Kosova, procesin e ka më datë 07.10.2019 në ora 13:00”, ka thënë shkurt ai.

Kujtojmë se në një video të publikuar ditë më parë, Salih Tahiri shihet duke marrë ryshfet për të dhënë leje ndërtimore në Vushtrrisë.

Në dy takime të ndara, sipas kësaj videoje, Salih Tahiri flet për shuma të mëdha parash dhe ‘kapje të parave’ për dhënie të lejeve ndërtimore.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme