Arrestohet Vlada Zmajeviq në Mal të Zi, dyshohet për krime lufte në Kosovë

Prishtinë | 04 Gus 2016 | 14:14 | Nga

Prokuroria speciale e Malit të Zi ka arrestuar një shtetas malazez, Vlada Zmajeviq, 47 vjeçar nga Nikshiqi, me dyshimin se ‘ka kryer krime lufte kundër popullsisë civile në Kosovë në vitin 1999’, shkruan e përditshmja malazeze “Vjesti”.

Prokuroria Speciale ende nuk e ka vërtetuar këtë informacion, transmeton Rel.

Sipas të përditshmes Vjesti, Zmajeviq u arrestua të enjten në mëngjes nga pjesëtarët e njësisë së policisë special të prokurorisë.

Në njoftim thuhet se Zmajeviq është shtetas malazez dhe në Kosovë ka luftuar si vullnetar. Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj, i tha Radios Evropa e Lirë se Vlado Zmajeviq ishte i pari në listë për krimet në Zhegër të Gjilanit.

Në bazë të hulumtimeve gjatë vitit 2000, Fondi ka dokumentuar se në këtë krim janë vrarë gjashtë persona më 29 dhe 30 mars 1999.

“Në bazë të dëshmive të dëshmitarëve, më 29 mars 1999, tetë autobusë, sipas të gjitha gjasave, me vullnetarë të Ushtrisë Jugosllave, kanë arritur në fshat dhe kanë vrarë gjashtë persona. Natyrisht, të gjithë civilë të përkatësisë shqiptare, në mesin e të cilëve edhe pleq dhe gra”.

“Në bazë të asaj që ne posedojmë bëhet fjalë për dy gra dhe katër burra. Banorët e fshatit nuk i kanë njohur kryesit e veprës, por kanë qenë në gjendje të përshkruajnë pamjen, uniformat, megjithëse nuk i kanë njohur ato fytyra”, tha Blakaj.

Sipas tij, “duket se Sekretariati i punëve të brendshme në Gjilan ka dorëzuar aktpadi ndaj shtatë personave në prokurorinë ushtarake për këtë krim, kurse i pari në listë ka qenë Vlado Zmajeviq”, tha Blakaj për Radion Evropa e Lirë.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme