Njësiti i krimeve ekonomike me urdhër të Prokurorisë Themelore të Pejës ka arrestuar të mërkurën zyrtarin në Zyrën komunale të Pejës për kthim dhe komunitete, Haki Kartallozi, shkruan sot Koha Ditore.
I dyshuari për kryerje të dy veprave penale është arrestuar në vendin e tij të punës, ku ishte transferuar në dhjetorin e vitit të kaluar nga Zyra e prokurimit.Arrestimin e Haki Kartallozit e ka konfirmuar për KD-në prokurori i lëndës, Haxhi Sinanaj.
“Haki Kartallozi sot është arrestuar me dyshime për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe ndërhyrje në sistemin kompjuterik. Ai dyshohet se ka ndërhyrë në sistemin e pagesave të tatimit në pronë që i kanë bërë palët. Dyshimet janë se ai u ka marrë njerëzve para dhe atje e ka bërë mbulesën fiktive”, thotë prokurori.