Televizioni spanjoll, El Chiringuito, raporton se tashmë është arritur marrëveshja për transferimin e Eden Hazardit nga Chelsea në Real Madridit. Sipas këtij mediumi, kjo marrëveshje do të zyrtarizohet gjatë orëve në vazhdim.
Mediat britanike sot raportuan se bisedimet mes Real Madridit dhe Chelseat për transferimin e Hazardit kanë ngecur, pasi që të dy klubet nuk po arrijnë të pajtohen për shumën e parave, transmeton Gazeta Express.
Megjithatë, El Chiringuito raporton plotësisht të kundërtën, duke thënë se tashmë dy klubet kanë arritur marrëveshje për rreth 100 milionë euro dhe zyrtarizimi do të vijë ose sot pasdite, ose të nesërmen.
Për transferimin e Hazardit në Real Madrid është spekuluar tash e një kohë të gjatë dhe ka qenë pikërisht belgu ai i cili shpeshherë i ka nxitur këto spekulime. Pasi i shënoi dy gola në finalen e Ligës së Evropës, Hazardi tha se shpreson të luajë kundër Chelseat sezonin tjetër në Ligën e Kampionëve,
Sulmuesi anësor belg e kishte shprehur vazhdimisht në të kaluarën dashurinë e tij për trajnerin e “Los Blancos”, Zinedine Zidane, dhe pasi që francezi u kthye në këtë pozitë këtë vit, gjasat e Hazardit për t’iu bashkuar skuadrës madrilene u rritën edhe më shumë.
Real Madridi tashmë e ka transferuar Luka Jovicin nga Eintracht Frankfurti për 60 milionë funte dhe besohet se ata janë të interesuar t’i sigurojnë edhe shërbimet e yllit të Manchester Unitedit, Paul Pogbës, i cili kushton mbi 100 milionë funte.
Por, përderisa trajneri i “Los Blancos”, Zinedine Zidane, është tifoz i madh i Pogbës, ai dëshiron ta ndërtojë skuadrën e tij rreth Hazardit për sezonin e ardhshëm.