Ukraina, Polonia dhe Lituania kanë rënë dakord për një plan, që shpresojnë se do të ndihmojë në përshpejtimin e eksporteve të grurit ukrainas, thanë zyrtarët të martën, raporton agjencia “AP”. vendet në nevojë përtej Evropës pritet të përfitojnë nga procedurat më të shpejta.
Marrëveshja do të thotë që inspektimet e grurit do të zhvendosen nga kufiri Ukrainë-Poloni për në një port lituan në Detin Baltik, sipas një deklarate nga Ministria e Bujqësisë e Ukrainës.
Masa synon të lehtësojë transitin e eksporteve të Ukrainës përmes territorit polak, thuhet në deklaratë, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Nga porti lituan Klaipeda, ku nga e mërkura do të bëhen, drithërat mund të eksportohen nëpërmjet detit në mbarë botën.
Teksa qëllimi është të përshpejtojë eksportet e grurit ukrainas, marrëveshja mund të ndihmojë gjithashtu në zbutjen e tensioneve mbi çmimet e drithërave midis Ukrainës dhe Polonisë.
Eksportet bujqësore kanë sjellë një nga kërcënimet më të mëdha për unitetin evropian për Ukrainën që nga pushtimi i Rusisë.
Rusia ka dhënë një goditje të madhe duke u tërhequr në korrik nga një marrëveshje që siguronte kalim të sigurt për grurin ukrainas përmes Detit të Zi. Kjo ka lënë rrugët më të shtrenjta tokësore nëpër Evropë si rrugën kryesore për eksportet e Ukrainës.
Fermerët në vendet e afërta janë shqetësuar që produktet ushqimore të Ukrainës kanë vërshuar tregjet e tyre lokale, duke ulur çmimet dhe duke dëmtuar jetesën e tyre.
Polonia, Hungaria dhe Sllovakia njoftuan për ndalime të importeve të gjërave ushqimore nga Ukraina, pasi një embargo e Bashkimit Evropian përfundoi në mes të shtatorit. Ukraina paraqiti një ankesë menjëherë më pas në Organizatën Botërore të Tregtisë pasi tensionet u rritën.
Vendet e BE-së thanë se do të vazhdojnë t’i lejojnë ato produkte të lëvizin përmes kufijve të tyre në pjesë të botës ku ka krizë të ushqimit.
Ukraina është furnizuesja kryesore globale e grurit, elbit, misrit dhe vajit bimor dhe ka luftuar që nga pushtimi rus për t’i çuar produktet e saja ushqimore në pjesë të botës ku ka nevojë.
Ndërkohë, mbrojtja ajrore e Ukrainës kapi 29 nga 31 dronët Shahed dhe një raketë lundrimi Iskander-K të lëshuar mbi Ukrainë të martën në mëngjes, njoftuan forcat ajrore të Ukrainës.
Sulmi kishte në shënjestër rajonin lindor të Ukrainës, Dnipropetrovsk dhe rajonin Mykolaiv të Ukrainës jugore. Nuk raportohet për të lënduar, por një objekt industrial është dëmtuar.
Presidenca e Ukrainës bëri të ditur të martën se të paktën dy civilë u vranë dhe 14 u lënduan gjatë 24 orëve të mëparshme.
Numri më i madh i viktimave ka ndodhur në jug, ku ushtria ruse bombardoi nëntë herë kryeqytetin rajonal Kherson.