Arrihet marrëveshja, pezullohet greva e administratës së gjykatave dhe prokurorive

Prishtinë | 11 Kor 2018 | 15:45 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Pas takimit me Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Këshillin Gjyqësor, Sindikata e judikaturës ka vendosur që ta ndërpresë grevën e filluar më 4 korrik.

Sipas Asllan Rusinovcit, nga Sindikata e Judikaturës, është arritur marrëveshje sipas së cilës do të përmbushen kërkesat e parashtruara nga grevistët, raporton Ekonomia Online.

Ndërsa Nehat Idrizi, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, tha se është lajm i mirë marrëveshja e arritur dhe se kërkesat e grevistëve do të plotësohen aq sa është e mundur. Sa i përket kërkesës për rritjen e pagave, Idrizi tha se ajo kërkesë do të plotësohet pjesërisht.

Sipas Idrizit, nuk ka ndonjë afat të caktuar se kur do të realizohen të gjitha kërkesat, mirëpo tha se disa prej tyre do të plotësohen brenda dy jave.

Asllan Rusinovci, kryetari i Sindikatës, tregoi që është arritur marrëveshje e përkohshme.

“Ne që nga mëngjesi jemi nëpër takime, kemi arritë një marrëveshje të përkohshme që grevën që e kemi fillu me 4 korrik ta pezullojmë pasi që kemi marrë një zotim nga KGjK,KPK meqë kërkesat tona do të realizohen kështu që e shpallim të pezulluar grevën”.

“Sipas tyre, ata do t’i përfundojnë procedurat në një afat brenda muajit. Nga nesër do të ulemi dhe do të bisedojmë në lidhje me kërkesat”.

Nehat Idrizi, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, tha se do të angazhohen  në krijimin e kushteve për punëtorët e administratës së gjyqësorit dhe prokurorisë, raporton EO.

“Pas angazhimeve që kemi pasur me Këshillin grevist është arritur një marrëveshje qe te pezullohet greva në gjykata dhe prokurori. Ne do të angazhohemi në krijimin e kushteve për punëtorët e administratës së gjyqësorit dhe prokurorisë. Ato çka janë të mundshme dhe të arritshme do të mundohemi t’i realizojmë. Fillimisht janë disa hapa që do të ndërmerren brenda dy jave dhe mandej do vazhdojmë faza-faza”.

Të ngjashme