Manchester City ka arritur marrëveshje me Swansea Cityn për shitjen e përfaqësuesit të Kosovës, Bersant Celinën.
Sky Sports mëson se i riu kosovar i Manchester Cityt, do t’i bashkohet Swansea Cityt, që nga ky sezon do të bëjë gara në Championship – nivelin e dytë të futbollit anglez – për rreth 5 milionë euro, transmeton Gazeta Express.
21-vjeçari i Kosovës, i cili ka qenë vetëm katër herë titullar për Cityn, i shënoi shtatë gola në 35 paraqitje në ligë për Ipswichin sezonin e kaluar, ku e kaloi stinorin si i huazuar.
Trajneri i Swansea Cityt, Graham Potter, synon ta rikthejë ekipin e tij në Premierligë dhe prandaj i është vënë pas Celinës, i cili i ka shfaqur aftësitë e tij në Championship sezonin e kaluar.
Tani, sipas Sky, ai ia ka arritur qëllimit ta sjellë Celinën në skuadër.
Ndërkohë, blerja e Riyad Mahrez nga Pep Guardiola ka bërë që shpresat e Celinës për të qëndruar në City të shuhen.