Arrijnë telefonat e lirë Nokia 220 4G dhe Nokia 105

Prishtinë | 27 Kor 2019 | 17:28 | Nga Ekonomia Online

Smartfonët shfaqen rregullisht në treg, por herë pas here gjithashtu publikohet edhe ndonjë “feature” telefon. Tani kompania HMD Global i ka publikuar dy modele të tilla të telefonave të thjeshtë dhe me kosto më të ulët – Nokia 220 4G dhe Nokia 105, raporton GSMArena.

Nokia 220 4G i përmbahet formulës së telefonit origjinal Nokia 220, i cili u lansua në vitin 2014. Në të ofrohet aplikacioni për ueb browser për të gjitha rrjetet sociale dhe lajme, si dhe disa lojëra klasike, të rifreskuara në 16 milionë ngjyra. Natyrisht, loja snake është e instaluar. Telefoni është krijuar nga polikarbonatet dhe mund t’i përdorë dy kartela SIM (nano + mini), ka kamerë me LED flash në anën e pasme dhe mbështetje për FM radio. Bateria ka kapacitet prej 1200mAh dhe mbushet nëpërmjet portit microUSB. HMD premton jetëgjatësi të baterisë deri në 27 ditë në standby dhe deri në gjashtë orë bisede, shkruan KOHA Ditore. Çmimi i telefonit është 39 euro dhe vjen në variantin e mint të kaltër dhe të zi.

Nokia 105 është i ngjashëm me modelin e vitit 2017, me dizajn të njëjtë dhe mungesë të kamerës, por këtë herë vjen me një çmim edhe më të ulët. Telefoni mund t’i regjistrojë deri në 2000 kontakte dhe 500 SMS dhe sigurisht vjen me llambë LED. Karakteristikat e plota të telefonit përfshijnë aftësitë SIM, bateri të ndërrueshme 800mAh, port microUSB dhe kyçje për konektor 3.5mm. Nokia 105 (2019) gjithashtu ka FM Radio. Telefoni kushton vetëm 13 euro.

Nokia 220 4G dhe Nokia 105 janë të destinuar për tregjet në Evropë. Nokia 220 4G është kompatibil vetëm me rrjetet 4G, të cilat dominojnë në Evropë.

Të ngjashme