I akuzuari për krime lufte, Dushko Arshiq, është shpallur fajtor dhe është dënuar me 13 vjet burgim.
Aktgjykimi është shpallur të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Dushko Arshiq ishte i akuzuar se ka marrë pjesë në vrasjen e B.Sh më 20 prill 1999 në Butovc të Prishtinës, si dhe ka maltretuar fizikisht e psiqikisht të dëmtuarin A.K.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 2 nëntor 2022, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se Arshiq në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të Policisë serbe dhe grupet paramilitare, në muajt janar-qershor 1999, ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen e qytetarëve nga Prishtina dhe rrethina. Aktakuza e ngarkon Arshiqin se bashkë me grupin tjetër kanë filluar të bëjnë plaçkitjen e shtëpive, si dhe më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve ia kanë vënë zjarrin.
Aktakuza e bën përgjegjës Arshiqin edhe për keqtrajtimin e civilëve shqiptarë, plagosje, si dhe për vrasje.
Arshiq akuzohet se ka marrë pjesë në ekzekutimin e tani të ndjerit B.Sh., ashtu që më 20 prill 1999, në fshatin Butovc të Komunës së Prishtinës, në vendin e quajtur “varrezat e Maqedoncve”, derisa viktima kishte qenë duke ecur, e kanë gjuajtur me pushkë automatike dhe pasi që e kanë goditur, e kanë urdhëruar të dëmtuarin A.K., i cili atë kohë ishte 15 vjeçar, që trupin e viktimës B.Sh., ta mbajë në shpinë edhe pse i dëmtuari ka pasur lëndime të konsiderueshme fizike për shkak se i akuzuari paraprakisht e kishte maltretuar fizikisht dhe psiqikisht, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë./ Betimi për Drejtësi