Në javën në të cilën përdoruesit e rrjeteve sociale ishin të zënë duke krahasuar fotografitë e tyre aktuale me ato që i kishin bërë para një dekade (#10YearChallenge), kthimi i holandezit Ryan Babel në Premier League është ndier paksa. I transferuar nga Ajaxi në vitin 2007 te Liverpooli i Rafael Benitezit për 13 milionë euro si golashënuesi më i mirë i ri në Holandë, 32-vjeçari këtë javë iu bashkua Fulhamit, në një lëvizje tjetër në drejtim të futbollit anglez.
Ai firmosi kontratë afatshkurtër deri në fund të këtij edicioni, pas një karriere nomade, e ndonjëherë edhe kontroverse, që e ka dërguar në Gjermani, Emiratet e Bashkuara Arabe, Spanjë dhe Turqi prej se ishte larguar nga stadiumi “Anfield Road” i Liverpoolit në vitin 2011, shkruan sot Koha Ditore.
Babel ka luajtur mirë vitet e fundit, pasi ka ringjallur karrierën e tij me fanellën e Beshiktashit dhe ka kthyer vendin e titullarit te Përfaqësuesja e Holandës që drejtohet nga Ronald Koeman. Ai në verë do të përballet me Anglinë në kuadër të gjysmëfinales të Ligës së Kombeve. Babel është kthyer në Premier League për t’ua dëshmuar të gjithëve se e kishin gabim në lidhje me të kur ishte te Liverpooli.