“Le t’i japim paqes një shans”, ka qenë fjalia e cila më së miri e përkufizoi qëllimin e ekspozitës e hapur të mërkurën pasdite në bibliotekën kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”. Me fjalët e ambasadorit të Çekisë në Kosovë, Ivo Silhavy, dhe mesazhet e fuqishme të aktores kosovare Arta Dobroshi për paqe, u bë hapja e ekspozitës “Prague 68”.
Fotografitë e vendosura në korridorin e bibliotekës kanë sjellë dëshmi që dokumentojnë intervenimin ushtarak sovjetik në Pragë para 50 vjetësh. “Prague 68” sjell imazhet bardhezi të fotografit të njohur çek Oldřich Škácha, të cilat vijnë në versionin bardhezi. Ato “takohen” me ato të realizuara nga njerëz të ndryshëm, në të cilat Dobroshi kërcen në ajër me mesazhin për paqe në botë. Janë me ngjyra.
Kësisoj nën konceptin kuratorial të Silhavyt, këto fotografi i shpalosen publikut krahas njëra-tjetrës. Fotografi të tankeve, protestave, objekteve të rrënuara qëndrojnë poshtë, derisa sipër tyre shihet Dobroshi duke kërcyer me personalitete të ndryshme të politikës, fëmijë nëpër shkolla, refugjatë e familjarë, duke kërcyer. Në këtë formë është bërë ballafaqimi i një të kaluare të hidhur të shtetit të Çekisë. Çekosllovakia e atëhershme, në 21 vjetët e ardhshëm, ra nën regjimin e rreptë totalitar të kontrolluar tërësisht nga Moska.