Aktorja Arta Dobroshi ka ndarë me ata që e pëlqejnë karrierën e saj, një video në të cilën ajo kujton kohën kur shkolla e mesme ku ajo mësonte u bombardua.
Dobroshi mesazhin e ka dhënë me anë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, në Ditën Botërore të Refugjatëve.
Në vitin 1999, ajo u nis për në Maqedoni ku edhe u shndërrua në një refugjate që largohej nga lufta në Kosovë.
Në video ajo tregon më shumë se sa të ngjashëm jemi të gjithë, se çdo njeri në këtë botë ka të drejtën e arsimimit dhe lirisë.
Ajo thotë se gjithmonë duhet ndihmuar ata që largohen nga lufta, nga vendet ku ka konflikt dhe ku nuk mbretëron paqja, ndërsa ndan tregimin e saj personal si refugjate në kohën kur ndodhi lufta në Kosovë.