Artan Behrami kritikon Kurtin: Kompromis me serbët, jo me partitë shqiptare

Prishtinë | 09 Mar 2026 | 15:57 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka reaguar pas deklaratës së ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rašić, sipas të cilit kryeministri Albin Kurti i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës në mars të vitit 2024 të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese nga viti 2016 për kthimin e tokës te Manastiri i Deçanit.

Behrami ka thënë se Kurti nuk ka qenë i gatshëm të bëjë kompromis me partitë shqiptare, ndërsa me Rashiq, sipas tij, ka bërë “koncesione shkatërruese për Kosovën.”

“Që nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, Albin Kurti nuk ka qenë i gatshëm të bëjë asnjë kompromis me partitë e tjera shqiptare! Ama, kur është në pyetje ‘serbi i ndershëm,’ Nenad Rašić, aty bën jo vetëm kompromise, por koncesione shkatërruese për Kosovën!”, ka shkruar Behrami në Facebook.

Deklarata e Rashiqit se 24 hektarë tokë iu kthyen Manastirit të Deçanit për shkak të tij, nxiti reagime të shumta, ndërsa zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arlind Manxhuka, e mohoi menjëherë atë.

Ai deklaroi se çështja e zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016, u sqarua qartë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës dhe në konferencën për shtyp më pas, dhe se ishte kusht i Këshillit të Evropës kur Kosova aplikoi për anëtarësim në këtë organizatë.

“Ajo çka ka ngatërruar ministri Nenad Rashiq, është pranimi i kërkesës së tij për vizitë të Patriarkut Porfirije, për Krishtlindjet ortodokse të vitit 2023, siç mund ta shihni në fotografinë më poshtë”, shkroi Manxhuka në një postim në llogarinë e tij në Facebook.

Të ngjashme