Krejt banorët e shteteve evropiane më gjerë, që në mbrëmjen e së mërkurës kanë shikuar kanalin e rrjetit televiziv franko-gjerman “ARTE”, kanë parë një histori suksesi të një institucioni që vjen nga një vend i cili nuk numëron as dy milionë banorë.
“Baleti Kombëtar i Kosovës vallëzon për mbijetesë” është titulluar dokumentari prej 30 minutash i përgatitur për institucionin qendror të kulturës. Janë tre balerinë, ndër më me përvojë të trupës, nëpërmjet të cilëve përthekohen dëshira e vullneti për të ngritur një institucion në Kosovën e pasluftës.
Rutina ditore e jeta që bëjnë merren si dëshmi që dashuria ndaj një profesioni, edhe kur mungojnë kushtet, bën që puna e tyre të marrë përmasa të mëdha. Deri në nivel ndërkombëtar. Dokumentari i përgatitur nga ekipi në përbërje të Tom Fugman, Markus Zergiebel, Rony Hofmann, Katrin Materna e Keti Vaitonis shpërfaq në detaje punën e BKK-së.