Trajneri i ri i Arsenalit, Mikel Arteta, në prezantimin e tij të premten tha me bindje se do ta bëjë sërish ekipin londinez të luftojë për trofe dhe për këtë ka kërkuar durimin e të gjithëve, pasi firmosi kontratë për tre vjet e gjysmë, shkruan sot Koha Ditore.
Arteta, i cili bëri 149 paraqitje për Arsenalin prej vitit 2011 deri më 2016 përpara se t’i bashkohej shtabit teknik të Manchester Cityt si asistent i Pep Guardionas, te “topçinjtë” e zëvendëson Unai Emeryn të shkarkuar javë më parë.
“Ky është një nder i madh për mua. Arsenali është një prej ekipeve më të mëdha në botë. Së bashku do të luftojmë sërish për trofetë më të rëndësishëm. Por për ta arritur këtë, duhet që të jemi të durueshëm. Me punë, jam i bindur se nuk do të jetë problem të realizohet ky premtim imi”, është shprehur Arteta.
Arsenali këtë edicion ka treguar formë të dobët, pasi renditet në pozitën e dhjetë në tabelë dhe ka shtatë pikë më pak se Chelsea që është në pozitën e katërt, pozitë që siguron pjesëmarrjen në “Champions”. Në 17 ndeshje, Arsenali ka vetëm pesë fitore, kurse Arteta në krye të ekipit do të debutojë të shtunën (sot) në ndeshjen kampionale kundër Evertonit, në udhëtim.