Çështja e refugjatëve, emigrimit a ikjes së shqiptarëve të Kosovës tash e dikur nuk raportohet të ketë qenë temë bisedimi midis liderëve politikë të vendit në takimin e së hënës në Ambasadën e Kosovës në Berlin. Por në sfond kanë pasur vepra arti që lidhen me këtë temë.
Në muret e hapësirave të këtij institucioni presidenti Hashim Thaçi e kryeministri Ramush Haradinaj kanë parë veprat e artistes Shpresa Faqi. Në mesin e tyre edhe ato me kapakët e gomave të veturave, që kanë nxitur jo pak komente e pyetje nëpër rrjetet sociale pas publikimit të fotove nga takimi. Janë pjesë e ekspozitës “Vozitja” që lidhet me çështjen emigrimit, refugjatëve e të lëvizjes së shqiptarëve.
Presidenti e kryeministri i vendit kanë udhëtuar drejt Gjermanisë për të marrë pjesë në Samitin e Berlinit. Janë pritur edhe në Ambasadën e Kosovës në Gjermani. Samiti i Berlinit i organizuar nga kancelaria gjermane, Angela Merkel, e presidentit francez, Emanuel Macron, midis tjerash, ka në fokus edhe dialogun midis Kosovës e Serbisë. Pikërisht shkaku i shtypjes nga Serbia e më pas vrasjet gjatë luftës më 1999, shqiptarët ishin shndërruar në refugjatë. Artistja Faqi bashkë me familjen e la Kosovën gati tri dekada më parë. Ekspozita e saj “Vozitja” është hapur në Ambasadën e Kosovës në Berlin, në dhjetor të viti të kaluar, dhe do të qëndrojë aty deri në fund të këtij muaji. Nëpërmjet saj deshifron shumëçka. Një udhëtim prej Kasselit të Gjermanisë për në Prishtinë, bashkë me ndalesat nëpër qytete të tjera, u bë rrugëtimi jetësor i saj. Përshkimi i së njëjtës rrugë që para 28 vjetësh e kishte kaluar me familjen e saj kur braktisën Kosovën, sjell rrëfime të fuqishme.
Të hënën, kur veprat e saj janë rishfaqur në sfondin e takimit në Berlin të politikanëve të Kosovës, Faqi ka rikujtuar zanafillën e “Vozitjes”.