Festivali “Meeting of Styles” ka mbledhur afër 200 artistë nga vendi dhe bota, në Kosovë, me qëllimin për të transformuar hapësirat e braktisura të Prishtinës në vepra të artit, raporton Ekonomia Online.
Koordinatorja për Media dhe Marrëdhënie me Publikun në kuadër të Festivalit, Dea Balaj, tha se nga 428 aplikantë kësaj radhe kanë përzgjedhur vetëm 188.
“Ne kemi pranuar 428 aplikime mbarëbotërore. Festivali “Meeting of Styles” është një rrjet botëror i zhvillimit të festivale të grafitit dhe ka qenë kënaqësi për Kosovën të hyjmë në listën e 33 shteteve pjesëmarrëse. Ne i kemi përzgjedhur 188 artistë që kanë pasur mundësinë të vijnë në Kosovë”.
Ajo tha se pavarësisht motit të nxehtë, artistët po rezistojnë që të përfundojnë grafitet e tyre deri nesër, kur përmbyllet ky Festival.
Ajo thotë se rrugëtimi i artistëve të huaj në Kosovë ka qenë i vështirë për shkak se grafiti në Kosovë ende nuk është një art në zhvillim.
“Rrugëtimi i tyre ka qenë mjaft i vështirë për faktin se kanë ardhë në një shtet pothuajse të panjohur më parë, mirëpo është kënaqësi që pavarësisht se Kosova është shumë e re në këtë fushë, të veçohet në rrjetin e Festivalit “Meeting of Styles” për një organizim kaq të përkryer. Tuneli është shndërruar në një pikë freskuese për të gjithë ne, artistët tashmë e kanë kuptuar orarin e ditës dhe temperaturat e larta prandaj po mundohen t’i përshtaten, mirëpo mbi të gjitha ata po i bëjnë rezistencë sepse grafiti është shumë më domethënës për ta dhe kanë qëllimin të arrijnë ta përfundojnë artet e tyre deri nesër”.
Artisti Ludovic Olivo nga Franca, i cili vjen për të dytën herë në Festivalin “Meeting of Styles”, thotë se arsyeja kryesore pse është kthyer, është për shkak të njerëzve gjatë ditëve që kalojnë në Kosovë dhe organizimit të mirë të festivalit, për çka shprehet i bindur se do të vijë edhe vitin e ardhshëm.
“Besoj që ka qenë më shumë për shkak të njerëzve përreth, kam kaluar shumë mirë herën e kaluar prandaj edhe jam kthyer. Besoj se po, gjithçka ka qenë shumë e organizuar, prandaj mendoj që do të kthehem prapë për diçka të tillë”.
Ai shton se e ka të vështirë gjatë ditës për shkak të nxehtit, por nuk e shikon si pengesë për të vazhduar punën.
“Është mjaft e vështirë gjatë ditës, por në përgjithësi është mirë”.
Artisti kosovar, Qëndrim Morina, i cili po ashtu pjesëmarrjen në festival e ka për të dytën herë, thotë se është një rast i mirë për të parë kultura të artistëve që vijnë nga shtete të ndryshme.
“Për mu është një festival shumë i mirë edhe për ne me e pa kultura të reja por edhe për të tjerët që po vijnë me e pa kulturën tonë dhe mendoj që shumica e shprehin kulturën në bazë të punimit që janë duke e bërë”.
Morina shton se në Kosovë ky art ka nevojë të zhvillohet, pasi sipas tij ndërtesat e reja në Prishtinë duhet të kenë ngjyra.
“Mendoj që ka nevojë shumë, sidomos tek ne, sepse jemi mbushur me ndërtesa pa ngjyra, është shumë mirë me pasë ngjyra shteti pa marrë parasysh se në cilin qytet është. Mendoj që është edhe për të tjerët mirë, sepse nëse e hapë një ekspozitë i thirr persona të caktuar dhe persona të caktuar vijnë me e pa, ndërsa kjo është për të gjithë, kush mundet dhe donë me e shiju”, tha ai, raporton EO.
Festivali “Meeting of Styles” organizohet nga QAR-Qendra për Zhvillimin e Artit në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës.