Artisti me “V” thërret për mbrojtjen e Parkut të Valbonës

Prishtinë | 01 Qer 2018 | 16:32 | Nga

Tiranë, 1 qershor − Për shumëkënd është e njohur si perlë e Shqipërisë. Parku Kombëtar i Luginës së Valbonës është “pranverë” e jetës në Shqipërinë Veriore, që frymëzon jetën e vendit dhe mbi të gjitha të vendësve e atyre që e vizitojnë për rekreacion apo për t’u kënaqur me bukuritë natyrore.

Zona me male të gjera është po ashtu e njohur edhe si Alpet Shqiptare.

“Valbona është emri i lumit që rrjedh nëpër Luginën e Valbonës dhe fshati bart të njëjtin emër në Rrethin e Tropojës në Shqipërinë Veriore. Distrikti i Luginës së Valbonës, që kufizohet me Kosovën në verilindje dhe Malin e Zi në veriperëndim, në kombinim me pjesën e Thethit në perëndim, përbën rajonin e quajtur Malësi në shqip, që përkthehet me vështirësi si ‘toka të larta’”, ka shkruar panacomp.net.

Kjo vepër sensacionale e natyrës është “nën sulm” dhe definitivisht e rrezikuar prej synimeve të njeriut. Aktivistë e ambienalistë të ndryshëm i kanë bashkuar forcat për t’u munduar ta shpëtojnë atë nga planet e Qeverisë që përfshijnë ndërtimin e 14 hidrocentraleve.

Një prej protestave të tilla që ka pasur qëllim zgjimin e zyrtarëve të lartë dhe që t’i bënte ata ta shqyrtonin vendimin sa i përket hidrocentraleve ishte një projekt i prezantuar më 24 maj, i koordinuar nga përfaqësues kulturorë nga Shqipëria dhe jashtë, sikurse edhe me fonde të huaja.

Lumi i Valbonës “ka udhëtuar” deri në sheshin “Skënderbeu” në Tiranë, për të “protestuar” kundër ndërtimit të hidrocentralit, që cenon 30 kilometra të gjatësisë së lumit. Nën sulmet për 14 hidrocentralet e planifikuar a– tri prej tyre tashmë veç janë duke u ndërtuar.

Andi Tepelena, përfaqësues i skenës së pavarur kulturore në Shqipëri, Adelina Stuparu dhe organizata joqeveritare “Toka” nga Valbona, ishin në zemër e shpirt të projektit që e ka jetësuar një ëndërr në qendër të kryeqytetit shqiptar, falë përkrahjes financiare nga fondacioni me seli në Berlin, “Guerrilla Foundation”, “Lush UK”, Heinrich Boell Foundation (me seli në Sarajevë) dhe shumë donatorë nga Holanda, të cilët kanë kontribuar financiarisht me grante të vogla, të administruara nga “Het Actiefonds Foundation”. Organizatorët kanë thënë se “V”-ja simbolike për monumentin Valbona, që ishte vendosur në shesh, ishte mbuluar në alarme të sirenës blu, për të portretizuar urgjencën e veprimit në shpëtim të lumit dhe Parkut Kombëtar.

Koncepti i artistit kontemporan Klod Dedja, për zërin dhe instalacionin vizual, e ka transferuar simbolikisht lumin edhe në mënyrë holografike, nga Parku Kombëtar në sheshin “Skënderbeu”, në qendër të kryeqytet të Shqipërisë.

Instalacioni përbëhej nga projeksione të rrjedhës së lumit, si një lloj video-kornize, kompozuar nga shumë artileri videoimazhesh. Sistemi i zërimit, që e rrethon, riprodhonte tingullin origjinal të lumut.

Planet për hidrocentralet kanë ardhur me rrezikun dhe shumica prej tyre me shqetësimet lidhur me ambientin ku do të ndërtohen. As lumi i Valbonës nuk bën përjashtim.

Sipas një komunikate për media, projekti e rrezikon shumë dhe shkencëtarët i kanë konfirmuar shqetësimet e tyre.

Një studim i kohëmëparshëm ka zbuluar se 49 specie që jetojnë në ujërat e ëmbla ose do të zhduken apo do të humbasin 50 deri në 100 për qind të shpërndarjes në Ballkan si rezultat i projekteve kumulative të hidrocentraleve në rajon. Përhapja e hidrocentraleve duhet që po ashtu ta ketë parasysh aspektin e ndryshimeve klimatike: Evropa Juglindore është përballur me thatësi të mëdha gjatë vitit të kaluar, gjë që ka rezultuar me kriza energjetike, për shkak të mungesës së resurseve të ujit të lidhura me prodhimin e elektricitetit në hidrocentrale.

Megjithatë, numri i hidrocentraleve të vogla është në rritje, përkundër rreziqeve. Protesta për lumin ishte një apel ndaj vendimmarrjes për të ndaluar ndërtimin e hidrocentraleve në Parkun Kombëtar, për të mbrojtur lumin, ekosistemin unik dhe komunitetin lokal që jeton brenda parkut.

Njëri prej organizatorëve ka thënë: “Përveç instalimit të instalacionit vizual dhe tingullit, ne po ashtu kemi bërë një peticion adresuar Edi Ramës, për të ndalur ndërtimin e hidrocentraleve, që aktualisht janë duke u bërë në Parkun Kombëtar”. Për këtë peticion, të publikuar në ueb-faqen e “Tokas”, “është programuar edhe një ‘lidhje drejtpërdrejt’ me një mesazh”. Kjo ishte direkt e lidhur me peticionin, dhe një numër i nënshkruesve dhe përkrahësve të Parkut Kombëtar përditësohen në kohë reale. Ka pasur përkrahje të madhe me më shumë se 850 veta që e kanë nënshkruar peticionin vetëm në ditën e ngjarjes.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme