Arton Muhaxheri: Duhet reagim më i fuqishëm ndaj padrejtësive në Hagë

Prishtinë | 02 Pri 2026 | 17:01 | Nga Ekonomia Online

Analisti dhe njohësi i çështjeve politike Arton Muhaxheri ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit që ndërlidhen me proceset gjyqësore në Hagë, duke i cilësuar ato si ndër padrejtësitë më të mëdha të dekadave të fundit.

Në një postim publik, Muhaxheri thekson se para syve tanë dhe të botës po ndodh padrejtësia më e madhe që ndonjëherë ka njohur njerëzimi në dekadat e fundit”, duke kritikuar mungesën e reagimit institucional dhe shoqëror.

Ai ka vlerësuar se mosreagimi me arsyetimin e mosndërhyrjes në drejtësi është i gabuar, duke shtuar se në këtë rast “nuk konsiderohet ndërhyrje në drejtësi, por ndërhyrje kundër padrejtësisë”.

Muhaxheri u ka bërë thirrje partive politike opozitare si Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, si dhe organizatave të dala nga lufta, që të intensifikojnë reagimin e tyre dhe të tregojnë kundërshtim më të qartë ndaj proceseve gjyqësore.

“Dhe nëse ka të atillë që nuk reagojnë me pretekstin se nuk përzihen në drejtësi, unë mendoj se e kanë shumë gabim, sepse tashmë kjo nuk konsiderohet ndërhyrje në drejtësi, por ndërhyrje kundër padrejtësisë. Nëse jo qeveria, e cila me shumë gjasë nuk është se i gëzohet lirimit të tyre, atëherë PDK, AAK dhe shoqatat e dala nga lufta duhet të reagojnë edhe në mënyra të tjera me dinamike për të treguar se nuk pajtohen me këtë gjykatë”, tha Muhaxheri.

Sipas tij, vizitat e deritanishme në Hagë kanë treguar mbështetje morale për të akuzuarit, por ai kërkon ndryshim të qasjes dhe rritje të angazhimit publik dhe politik, sidomos në këtë fazë të procesit.

Në fund, Muhaxheri ka kritikuar edhe institucionet shtetërore, duke thënë se ato “prej kohësh kanë hequr dorë nga çlirimtarët”.

Të ngjashme