“Luftërat në ish-Jugosllavi kanë përfunduar duke shkaktuar mbi 100 mijë të vdekur, por përpos viktimave, kufijtë nuk kanë ndryshuar asnjë milimetër”.
Kjo ka qenë deklarata e ish-presidentit të Kroacisë, Stjepan Mesiq, në Tiranë, shkruan sot Koha Ditore.
Qëndrimi i Mesiqit ishte një përgjigje e qartë për aktorët politikë nga të dyja shtetet, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, të cilët kanë në tryezat e tyre të bisedimeve temën e korrigjimit të kufijve.
Ish-presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiq, i konsideruar si mik i madh i shqiptarëve, u dekorua nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”.
Ceremonia e dekorimit u mbajt të mërkurën në mesditë, në Presidencë, ku të pranishëm ishin dhe ish-presidentë të Shqipërisë, por dhe të Kosovës. Pas marrjes së dekoratës, ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Kroacisë, tha se e pranon dekoratën për atë se çfarë çka ka bërë për të drejtat e shqiptarëve dhe të padrejtat që u janë bërë atyre në ish-Jugosllavi, dhe për bashkëpunim me Shqipërinë. Mesiq theksoi se e ndien për obligim për të vijuar më tej.
Në fjalën e tij Mesiq i bëri thirrje BE-së për përshpejtimin e integrimit të Evropës Juglindore në Bashkimin Evropian. Një proces i tillë do të shuante dhe idetë e ndryshimit të kufijve, një ide e kahershme e Milosheviqit, të cilin ai nuk mundi ta realizonte, por që sot, tha Mesiq, ka njerëz që e quajnë të mirë.