Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, e ka pranuar se gjiganti katalonas nuk do të jetë në gjendje ta kthejë Neymarin në klub as këtë verë, për shkak të krizës së thellë financiare që e ka shkaktuar pandemia Covid-19.
Neymar iu bashkua Paris Saint-Germainit në vitin 2017 për një shumë rekorde të të gjitha kohëve, 222 milionë euro, por vetëm dy vjet më vonë, në verën e vitit 2019, ai bëri përpjekje për t’u kthyer në Barcelonë.
Dëshira e tij s’u realizua për shkak se Barcelona nuk qe në gjendje të arrijë marrëveshje me PSG-në dhe duket se nuk do të ndodhë as këtë vit.
Bartomeu e ka hedhur poshtë këtë mundësi, duke thënë se riblerja e tij nuk mund të realizohet në kohë pandemie.
“Duke e parë këtë situatë, nuk është e realizueshme. Ashtu kështu, PSG-ja nuk dëshiron ta shesë atë. Verën e kaluar, ne u përpoqëm fort, por këtë verë nuk do të tentojmë”, tha Bartomeu në një intervistë për Sport.
Arsyeja është Covid-19.
“Kjo gjendje nënkupton se klubi i ka humbur 200 milionë euro nga marsi deri në qershor. Ne kemi parashikuar të hyra në vlerë 1.1 miliard euro për sezonin 2020/21, por mbase do t’i kemi 30% më pak”, shtoi ai.