Asamblisti i LDK-së në Podujevë, Ekrem Rrahmani, është lajmëruar në profilin e tij në “facebook” pas përplasjes që ka pasur me kryetarin e Komunës, Shpejtim Bulliqi, gjë për të cilën edhe është ndaluar nga Policia e Kosovëss.
Rrahmani duke folur për incidentin e ndodhur në sallën e Kuvendit Komunal të Podujevës, ka thënë se janë të papranueshme dhe shton se as vetë nuk e ka menduar që pas më shumë se dy dekadash liri do të përballet me një situatë të tillë.
Megjithatë ai thotë se në vendin e punës, përballet me ata që duan të mashtrojnë e manipulojnë, duke përmendur kryetarin e Komunës, Shpejtim Bulliqi, që sipas Rrahmanit tentoi ta kontrabandojë vullnetin e qytetarëve.
“Por, përtej këtyre, unë jam Ekrem Rrahmani që me besimin e dhënë përmes votës, elektorati i LDK-së, qytetarët e Podujevës më besuan të jem zëri i tyre përfaqësues në Kuvendin Komunal. Secili që më njeh e di që në secilin ambient ku veproj përballem me ata që duan të mashtrojnë e manipulojnë, e lëremë kur një i zgjedhur për kryetar komune tenton ta kontrabandojë vullnetin e qytetarëve të Podujevës duke marrë peng kuvendin dhe trupat e saj”, ka shkruar Rrahmani.
Asamblisti i LDK-së thotë se është e rrezikshme dhe e papranueshme mënyra se si kryetari i Podujevës po provon të mbajë peng punën e Kuvendit Komunal duke arrestuar njerëz vetëm pse e thonë të vërtetën.
“Është e papranueshme, e rrezikshme dhe neveritëse mënyra se si Bulliqi tenton të mbajë peng punën e kuvendit duke përdorur mekanizmat e shtetit për të arrestuar njerëz vetëm pse ia thonë në sy të vërtetën që mendojnë e shprehen ndryshe, e sidomos ata që për këtë punë kanë marrë mandat nga qytetari”, ka shkruar tutje ai.
Rrahmani ka akuzuar kryetarin e Podujeës për pazare të ulëta dhe tradhti.
“Unë Ekrem Rrahmani, deklarohem se ASNJËHERË, ASKUSH nuk mund të më ndal për të përfaqësuar drejt, me dinjitet e ndershmëri votuesin tim. Unë asnjë ditë të mandatit tim nuk do të hesht përballë një kryetari skandaloz që me pazare të ulëta e me tradhëti ka ardhë në atë pozitë dhe me format e njëjta po e ushtron atë detyrë sot e kësaj dite”, ka shkruar asamblisti i LDK-së.