Këshilltarët komunalë të pavarur dhe këshilltarë komunalë nga radhët e Partisë Socialdemokrate (PSD) dhe nga Lëvizja “Vatra”, po i akuzojnë këshilltarët komunalë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), por edhe këshilltarët e Lëvizjes Vetëvendosje se në seancën e Kuvendit Komunal që është mbajtur me 30 maj nuk kanë përkrahur ndryshimin e rregullores e cila parasheh që dita e diele të jetë ditë pushimi për punëtorët e sektorit privat dhe që punëtorët të pushojnë gjatë ditëve të festave zyrtare.
Këta këshilltarë të pakënaqur komunalë kanë mbajtur një konferencë shtypi para objektit të Komunës së Gjilanit duke akuzuar kolegët e tyre se për interesat personale nuk përkrahën miratimin e rregullores, raporton “Koha Ditore”.
Kurse përfaqësues të subjekteve politike të LDK-së dhe PDK-së kanë deklaruar se ata nuk do të përkrahin ndryshimin e rregullores ngase dëshirojnë që të konsultohen me grupet e interesit, pra me bizneset, të cilët kanë shprehur shqetësimet e tyre për këtë nismë në kuvendin komunal.
Vetëvendosje ende nuk ka pasur reagim për këtë çështje.
Ndryshe, rregullorja me ndryshimet parasheh që vetëshërbimet, supermarketet, shitoret tregtare ushqimore, shitoret tregtare të tekstilit, shitoret e lëkur këpucëve, teknikës së bardhë dhe veprimtarive tjera jo ushqimore, ditëve të vikendit (të dielave) dhe ditëve të festave zyrtare të mos punojnë.