Asfaltimi i rrugëve në fshatin Papaz në fazën e fundit

Prishtinë | 21 Maj 2019 | 18:25 | Nga Ekonomia Online

Investimet kapitale po njohin një ritëm të ri punimesh në gjithë territorin e Ferizajt. Kryesisht dominuese janë projektet e infrastrukturës rrugore. Për shkak të ankesave të banorëve dhe punimeve të dobëta të realizuara kohë më parë, Drejtoria e Infrastrukturës ka rikonstruktuar edhe njëherë rrugët në fshatin Papaz, ku sot ndodhi asfaltimi i rrugës së katërt nga dhjetë sa janë të kontraktuara për asfaltim në këtë fshat.

Për të parë nga afër punimet që po realizohen, nevojat e banorëve doli edhe Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu bashkë me drejtorin e Drejtorisë së Infrastrukturës, Arbër Bytyqi. Ky i fundit bëri të ditura të dhënat e këtij projekti dhe dinamikën e punimeve.

“Jemi në Papaz në asfaltimin e rrugicave në këtë fshat. Sot jemi duke asfaltuar rrugicën e katërt nga dhjetë sa janë të parapara në projekt. Tri rrugica janë asfaltuar më herët, ndërsa pjesa tjetër në ditët në vijim do të përfundohet. Bëhet fjalë për një projekt në vlerën 185,000 euro, gjerësia e rrugës është 4 deri në 6 metra varësisht prej zonës sesi shtrihen rrugicat. Në kuadër të përfundimit të projekteve nga Drejtoria e Infrastrukturës, edhe ky është një projekt që jemi duke e përfunduar gjatë këtij viti. Ka qenë një projekt që e kemi marr në gjysmë. Është një shembull i mirë i qasjes sonë si drejtori në përfundimin e projekteve ashtu siç duhet për shkak se gjendjen në të cilën e kemi marr këtë projekt, gjegjësisht këtë rrugë në të cilën ndodhemi sot, ka qenë shumë e vështirë dhe e pakalueshme edhe pse janë kryer punimet më herët nga operatori. Ne kemi detyruar operatorin ekonomik që t’i filloj prapë punimet nga fillimi dhe t’i largoj materialin i cili është vendosur në këtë rrugë dhe është vendosur tërësisht material i ri dhe cilësia e punimeve është e kënaqshme dhe qytetarët janë të kënaqur me këto punime. Sot po bëjmë asfaltimin, gjegjësisht fazën e fundit të këtij projekti, në ditët në vijim do të përfundohen edhe rrugicat tjera” tha drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës, Arbër Bytyqi.

Të ngjashme