Vlugu i punimeve infrastrukturore në gjithë territorin e Ferizajt, po vijon me intensitet të lartë. Së fundmi është rruga “Shefqet Ramusholli” me gjatësi prej 895 metrash dhe rruga “Kodra e Bletëve” me gjatësi prej 260 metrash që në total kap gjatësinë prej mbi 1 kilometër që u asfaltua sot në kuadër të projektit për asfaltimin e 14 rrugëve në fshatin Manastirc. Për të parë punimet që po zhvillohen në këtë pjesë të Ferizajt, të lënë anash për vite me radhë, doli i pari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me drejtorin e Drejtorisë së Infrastrukturës, Arbër Bytyqi.
Bytyqi tha se ky projekt zgjidh sfidat shumëvjeçare të banorëve të kësaj zone, të cilat kanë hasur në mirëkuptimin e qeverisjes lokale për t’i dhënë zgjidhje.
“Jemi sot në fshatin Manastirc në kuadër të projektit të asfaltimit të rrugicave të këtij fshati. Bëhet fjalë për një projekt të asfaltimit të 14 rrugicave. Dihet se si projekt e kemi filluar gjatë vitit të kaluar ku kemi asfaltuar dy rrugica ndërsa sot po vazhdojmë me dy rrugica tjera dhe gjatë kësaj jave po synojmë që ta përmbyllim në tërësi projektin e asfaltimit të rrugicave të fshatit Manastirc. Bëhet fjalë për një projekt rreth 220 mijë euro kurse gjatësia e rrugicave është 5 kilometra” tha Bytyqi.
Vlera e këtij projekti tejet të rëndësishëm infrastrukturor që afekton një zinxhir të gjatë rrugësh qarkullimi në këtë zonë është afro 220 mijë euro, ku parashihet asfaltimi i 14 rrugëve në këtë fshat me gjatësi prej 5 kilometrave.