Këtë të mërkurë ka filluar të bëhet asfaltimi i rrugicave në fshatin Manastirc ndërkaq asfaltimi ka filluar nga rruga “Xhemajl Nuha”.
Nga afër punimet e këtij projekti i ka përcjellur nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Naim Ferati i shoqëruar nga drejtori i Infrastrukturës, Arbër Bytyqi, drejtori i Bujqësisë Burim Bajrami si dhe mbikëqyrësja e këtij projekti inxhinierja e ndërtimtarisë, Leonora Zeqiri.
Me këtë rast drejtori i Infrastrukturës, Arbër Bytyqi, ka thënë se kjo rrugë ka rëndësi tejet të madhe për banorët e këtij lokaliteti.
“Jemi në fshatin Manastirc ku po fillojmë asfaltimin e 14 rrugicave, ndërsa sot po fillojmë më asfaltimin e rrugës “Xhemajl Nuha”, një rrugë me gjatësi 710 metra dhe me gjerësi 5 metra, gjithashtu do të vazhdohet edhe asfaltimi i rrugës “Brahim Muhaxheri”, ku në këtë rrugë është bërë edhe rregullimi i kanalizimit fekal. Vlera e këtij projekti është 211’557.60 €”, ka thënë Bytyqi.
I pari i Drejtorisë së Infrastrukturës, Arbër Bytyqi, ka thënë se kjo drejtori tash për tash është në vlugun e realizmit edhe të shumë projekteve infrastrukturore ku pritet të ketë edhe asfaltime të tjera.
Edhe banorët e kësaj rrugë e kanë mirëpritur asfaltimi e rrugës së tyre. Ata kanë falënderuar Komunën e Ferizajt, për investimet që po bëhen në të mirë të jetës së tyre.
U tha se gjatësi totale e 14 rrugicave në fshatin Manastirc është mbi 4 kilometra.