Falë kushteve të mira atmosferike në këtë fillim dhjetor, sot ka filluar të asfaltohet një pjesë e segmentit rrugor që lidh fshatrat Varosh dhe Gërlic, por që njëkohësisht shërben edhe si hyrje për në Ferizaj nga ana e Shkupit.
Për të parë nga afër punimet që po zhvillohen në këtë vendpunishte, pasditen e sotme ishte i pranishëm edhe Kryetari i Komunës së Ferizajt Agim Aliu, i cili u shpreh i kënaqur që edhe kjo pjesë pas përfundimit të punimeve do të jetë njëra nga hyrjet moderne për në qendrën e Ferizajt.
Ai tha se ky projekt po trajtohet me përkushtim të veçantë nga autoritetet komunale dhe nga kompania që po i zhvillon punimet, duke theksuar se kjo rrugë është zgjeruar në tri korsi dhe do të jetë e gjerë 18 metra.
“Ky është njëri ndër projektet më të rëndësishme të shumë projekteve që janë duke u zhvilluar në Komunën e Ferizajt, është projekti i rrugës Gërlicë-Varosh, në fakt lidhet edhe me rrugën “Gursel e Bajram Sylejmani”, prandaj kjo e shton edhe rëndësinë e këtij projekti, për faktin që tashmë kemi përfunduar fazën e parë e projektit të rrugës “Gursel e Bajram Sylejmani”, e që është një nga arteret kryesore të njërës nga hyrjet kryesore të qytetit të Ferizajt, dhe sigurisht që ky projekt vetëm sa e shton rëndësinë e projektit të rrugës “Gursel e Bajram Sylejmani”, por në mënyrë të veçante edhe të lidhjes me autostradën “Arbër Xhaferri”, sepse do të jetë edhe njëra nga hyrjet tjera të autostradës do të jetë kyçja në Gërlicë dhe lidhja do të jetë edhe me Komunën e Kaçaniku, pastaj edhe Maqedoninë e Shkupin”, ka thënë Kryetari Aliu.
Kryetari Aliu shtoi se përveç rëndësisë që ka ky projekt për qytetin ai u mundëson një qasje më të lehtë qarkulluese edhe fshatrave të kësaj ane.
“Ky projekt është shumë i rëndësishëm për nga lidhja konstalacioni gjeografik, sepse është një nga arteret kryesore, po ashtu është i rëndësishëm sepse është më të gjithë komponentët që duhet të jetë një rrugë e standardit evropian. Është një rrugë që është e gjerë 18 metra do të jetë me tri shtresa, do të ketë shtigje për këmbësorë dhe poashtu do të ketë edhe shtigje për biçiklistë. Sigurisht se kjo rrugë nuk është e rëndësishme vetëm për qytetarët ferizajas, por edhe për këtë grupim fshatrash që përfshinë ky segment rrugor dhe po ashtu është i rëndësishëm edhe për qytete që e rrethojnë Ferizajn në këtë rast edhe Kaçanikun, por edhe Vitinë, është një projekt që do i shohin hajër jo vetëm Komuna e Ferizajt, por edhe komunat tjera”, ka përfunduar Kryetari Aliu.
Në bazë të të dhënave nga Drejtoria për Infrastrukturë pjesë që u asfaltua sot kap gjatësinë mbi një 1 kilometër ndërsa i gjithë projekti ka gjatësinë mbi 5 kilometra, ku do të hidhen tri shtresa asfalti, 2 në këtë fazë të punimeve e treta në pranverë. Ky projekt kap shumën 3 milion euro.