Në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (AShAK), në mbledhjen komemorative në respekt të veprës së shkrimtarit, Ismail Kadare, u theksua se vepra letrare të tij kanë luajtur rol emancipues për Kosovën dhe kosovarët, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, në fjalën e tij më mbledhjen komemorative ka thënë se shkrimtari Kadare ka bërë më shumë se institucionet.
Ai ka theksuar se zëri i Kadaresë në mbështetje të Kosovës ka qenë frymëzim për shumë gjenerata intelektualësh.
“Zëri i Kadaresë në mbështetje të Kosovës ka qenë frymëzim për shumë gjenerata intelektualësh, për një masë të gjerë të njerëzve në Kosovë. Në këtë pikë Kadare ka bërë më shumë se të gjitha institucionet. Zëri i tij, pavarësisht nëse vinte ka diskursi publik, ka qenë zë frymëzues. Bashkësisë ndërkombëtare i ka folur me gjuhë të qartë. Shqetësimet e Kadaresë kanë pasur jehonë të madhe në opinionin kosovar. Vepra letrare e Kadaresë ka luajtur rol emancipues për Kosovën dhe kosovarët”, ka thënë ai.
Akademik Sabri Hamiti, tha se me përkthimin e veprave të Ismail Kadaresë, ai ka fituar statusin e shkrimtarit të madh.
“Ismail Kadare e ka fituar statusin e shkrimtarit të veprave të tij më së pari në frëngjisht. Rrufeshme e ka fituar statusin e shkrimtarit të madh shqiptar më së pari në kulturën frënge me veprat ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, ‘Kështjella’, ‘Kronik në gur’. Kjo gjuhë ka marr statusin e menzes letrare edhe për përkthimin e veprave të tij në gjuhë të tjera të mëdha. Ky shkëlqim i rrufeshëm i shkrimtarit shqiptar vetvetiu e ka bërë zërin e tij të pushtetshme edhe duke mos pasur pushtet politik real në diktaturë. Sot Kadare nuk mungon në as një enciklopedi serioze ku trajtohet kultura dhe bota shqiptare. Shumica e veprave të Ismail Kadaresë janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhe të botës duke e bërë shkrimtarin shqiptar më të njohur në botë”, ka thënë ai.
Akademik Rexhep Ismajli, tha se Kadare punoi ndjeshëm në përpjekjet e Kosovës për të dal në lirin e saj.
“Ismal Kadare jetoj në epokën që u shënua nga një dinamizëm dhe kthesa të shumta në jetën dhe kulturën shqiptare. Lindi në kohën e Zogut të Parë, u shkollua në valën e komunizmit, shpërtheu si poet dhe erdhi dhe u shqua si shkrimtar në valën e diktaturës. Përjetoj thyerjen e madhe në diktaturën që po shembej. Punoj ndjeshëm në përpjekjet e Kosovës për të dal në lirin e saj. U rrit dhe mbeti shkrimtar i klasit dhe individualitet në gjithë ato valë të rrëmbyeshme”, u shpreh Ismajli.