Ashton komenton deklaratën e Kurtit, kërkon gjëra të reja e guxim në dialog: Jam e gatshme ta ndihmoj procesin

| 15 Sht 2023 | 10:59 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

“Grupi për Ballkan” ka mbajtur konferencën “Dialogu me Serbinë: Mësime nga e kaluara për të ardhmen e procesit”, raporton Ekonomia Online. Pjesë e diskutimit ishin baronesha Catherine Ashton e ambasadori Philip Reeker. Aty u tha se qëllimi është që të nxiten diskutime për t’i kuptuar më mirë sfidat aktuale dhe mundësitë e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe të nxjerrën mësime nga e kaluara.

Në fokus ishin edhe dakordimet e fundit të arritura: “Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë” dhe Aneksin e Zbatimit të saj, të miratuar nga palët në Ohër.

Drejtori i “Grupi për Ballkan” Naim Rashiti, tha se edhe pas më shumë se 10 vitesh ende ka marrëveshje të papërmbushura nga dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, madje tha se aspiratat për integrim evropian nuk kanë avancuar.

“Të dashur pjesëmarrës, ne ju mikpresim me kënaqësi që ne të diskutojmë të ardhmen e dialogut me Serbinë. Grupi për Ballkan punon për të avancuar procesin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë. Kemi vizualizuar çdo takim që është mbajtur deri më tani”.

“10 vjet më vonë shohim se disa marrëveshje janë përmbushur disa jo, aspiratat për integrim evropian nuk kanë avancuar gjithashtu”.

Përderisa Baronesha Catherine Ashton, ish-përfaqësuesja e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, tha se dëshiron të dëgjojë e të shoh propozime dhe ide të reja nga lidershipi kosovar në procesin e dialogut. Madje shtoi se dëshiron që liderët e Kosovës t’i thonë Brukselit zyrtar se “nuk po na pëlqen kjo, por ç’mendoni për këtë?”.

Por tha se për gjëra të mëdha kërkohet lidershpi i vërtetë, duke shtuar se nuk po kërkon që parimet e Kosovës të hidhen në baltë, por që gjërat të bëhen në koordinim.

“Si fillim më lejoni të them sa e lumtur jam të jem këtu në Prishtinë, të shoh miq të vjetër e fytyra të reja. Si dikush nga Britania që vjen nga një vend që nuk është më pjesë e BE. Shpresoj që e dini se në dialog ka pasur momente të vështira për t’u kaluar, por besimi ynë i thellë është se e ardhmja e këtij vendi është në BE. Vazhdoj të besoj në këtë. Nuk do jetë kurrë punë e lehtë, dhe implementimi i marrëveshjeve është gjithmonë edhe më i vështirë. Është shumë e rëndësishme që njerëzit ta shohin dialogun si një gjë të vazhdueshme, të gjallë, e që do vazhdojë. Nuk më përket mua, e as Serbisë, ju takon juve”.

“Puna e vërtetë, më e vështirë është bërë nga njerëzit në ato dhoma, nga ata nga Serbia e Kosova, nga zyrtarë. Kjo ka qenë në mendjen time, rruga më e mirë për Kosovën, nuk ka pasur se si të jetë e lehtë apo e thjeshtë. Për njerëzit e Kosovës kjo punë ia vlen të kryehet e bëhet, sepse ka të bëjë me të ardhmen e tyre, ka të bëjë me të ardhmen edhe të atyre që nuk kanë lindur akoma. Do të thoja se sa herë që të bëni diçka të madhe dhe të guximshme kërkon lidership të vërtetë. Nuk ka të bëjë me të lëshuarit pe, por për t’i sjell gjërat bashkë. Jo për t’i lënë parimet e tua në baltë, por për të ecur përpara”, u shpreh baronesha Ashton.

Ashton komentoi edhe deklaratën e kryeministrit Albin Kurti se “ditët e Asthon kanë përfunduar”. Ndonëse u pajtua me këtë deklaratë, ajo u shpreh e gatshme ta ndihmojë Kosovën në dialogun me Serbinë nëse i kërkohet, raporton EO.

“Unë vazhdoj të mbetem e përkushtuar ndaj dialogut, kështuqë nëse është diçka që unë mund të bëjë diçka në progres të tij unë do e bëja. Mendoj se kryeministri këtu tha dje se ditët e Ashton kanë marrë fund, dhe ashtu është. Unë megjithatë jam e lumtur të ndihmoj, por gjithashtu mendoj se lidershipi duhet të shikojë përpara. Për mua ka qenë shumë e rëndësishme sjellja ime këtu si mysafire e Clintonit, dhe ne jemi ulur të përkushtuar për të mbështetur dialogun, të dy shtetet. BE-ja dhe SHBA-ja në vazhdimësi kanë punuar së bashku, esencialisht partneriteti ynë vazhdon të ecë përpara. Veçanërisht për njerëzit këtu. Kur shikon të arrish diçka për të ardhmen duhet të shikosh domosdoshmërisht të shkuarën, të respektosh vuajtjet e tyre. Ky është lidership, por është vështirë të gjendet sot. Në atë kohë e kam hasur këtu dhe në Serbi, jo vetëm nga njerëzit në takime, por që ka rëndësi të madhe në atributin ndaj të shkuarës.”, tha Ashton.

Ambasadori Philip Reeker, ish-zëvendësndihmës Sekretar i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, tha se tashmë e ndjera, sekretarja e shtetit, Madaline Albright i kishte thënë se diplomacinë e sheh si diçka me tre këmbë, ku të tria duhet balancuar me njëra-tjetrën, faktorët politikë, ekonomikë, dhe ata të vlerave.

Reeker, shtoi se në vend se të tregohemi dogmatikë duhen marrë parasysh dy aspektet e para. Reeker morri shembull trazimin e paqes në Evropë, pra luftën në Ukrainë dhe se dallimet dhe përpjekjet për bashkëpunim ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit.

“Pak vite më parë Covid-i na rikujtoi se nuk mund të mblidheshim kështu. Faleminderit Grupit për Ballkan, Ambasadës norvegjeze, për realizimin e këtij diskutimi. Është e mrekullueshme të shoh sa shumë ky vend ka ndryshuar që prej kur isha këtu në të 90tat. Hillary Clinton kishte një storie të interesimit për këtë pjesë të rajonit, dhe sekretarja e shtetit kur tha se donim të vizitonim këtë rajon tha le ta bëjmë këtë së bashku me BE-në. Të gjithë po e shohim se cfarë po ndodhë me agresionin rus në Ukrainë, për të demostruar këtë i thamë sekretares Clinton për të zgjedhur dikë për këtë mision, dhe Catherine Ashton ishte personi i parë që na shkoi ndërmend, dhe më kujtohet kur sekretarja e shtetit na mblodhi të gjithëve dhe na tha ‘bëni cka do që Cathy ka nevojë dhe që i duhet”.

“Ne shohim sukses kur shohim dy palë që duan të arrijnë sukses, ndonëse e dinë sa e vështirë është. Kjo është çka diplomacia është. Më kujtohet çka Madaline Albright më thoshte e që është se diplomacia i ka tri këmbë; aspektin politik, ekonomik dhe atë të vlerave dhe principeve apo vlerave tona, dhe duhet menduar për të tirat ato, në vend që të tregohemi dogmatikë. Balancimi i emocioneve të tyre, dhe i aspekteve të tjera me një qëllim për të arritur një të ardhme të ndritshme. Kjo është e gjitha pjesë e ekuacionit, të synohet një e ardhme më e mirë për gjeneratat që do vijnë në një botë sfiduese. Në dallimet midis Armenisë dhe Azerbajxhanit mund të shihni sfidat e njëjta, por edhe të luftuarit për një të ardhme më të mirë”, tha Reeker.

Reeker vazhdoi duke thënë se është tejet e rëndësishme se çka krijon dialogu dhe se u shpreh i habitur se si pas gjithë asaj punë, sipas tij, kemi ardhur në pikën ku përmenden targat.

Ai tha se kjo nuk ndihmon e as nuk përmirëson asgjë dhe se janë krijuar kriza të pakuptimta në vend që të bëhen gjëra me shumë më shumë rëndësi, raporton EO.

“Është e rëndësishme të kujtojmë se çka prodhon dialogu. Hapa të shumtë kompromisi për të cilët liderët gjetën kurajon të bëjnë, dhe të kthehesh pas gjithë asaj pune e të shohësh që akoma po flasin për targa, e hatashme! Si ndihmon kjo që të shkollohet një fëmijë, apo të arrihet diçka. I dëgjoj njerëzit këtu të flasin për parime, por është e rëndësishme të dish si balancosh këto parime, këto vlera me nevojat për siguri, ato ekonomike e politike. Janë krijuar këto kriza të pakuptimta në vend që të bëhen gjëra me më shumë rëndësi në botën e 2023-ës”, u shpreh Reeker, raporton Ekonomia Online.

Diskutimi u shoqërua me promovimin e librit të ish-ndërmjetëses Ashton “Dhe pastaj çfarë? Brenda tregimeve të diplomacisë së shekullit 21”.

Të ngjashme