Shkumbin Hyseni i ka qëndruar afër Adem Grabovcit në gëzim e hidhërim. Ishte ideator për ta befasuar shefin për ditëlindje, por ishte afër tij edhe kur Grabovci u nis drejt prokurorisë për tu marrë në pyetje. Ai është asistent i Grabovcit dhe para disa ditësh, më 28 tetor, është emëruar në postin e drejtorit të bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave.
Asistenti i Adem Grabovcit Emërohet në Bordin e Rregullatorit të Hekurudhave
Shkumbin Hyseni i rrinte afër Adem Grabovcit në një ditë tejet të rëndësishme për të. Më 14 shtator të këtij viti, shefi i tij ishte nisur drejt Prokurorisë së Shtetit. Do të merrej në pyetje për të bëmat e tij të publikuara në Dosjen e Shefave nga Insajderi.
Hyseni del i pari nga vetura e tipit Mercedes. Më pas e ndihmon shefin e tij ta hap derën e veturës.
Përgjatë kohës sa Hyseni fizikisht përpiqej për të ia lehtësuar shefit të tij rrugëtimin drejt prokurorisë, një e mirë po përgatitej për të. Ishte në pritje të një posti të rëndësishëm.
Qeveria e kishte nominuar për anëtar të bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, një agjenci e pavarur që mbikëqyrë ndërmarrjet publike “Trainkos”, dhe “Infrakos”. Kuvendi i Kosovës më 28 tetor të këtij viti miratoi nomiminin e Qeverisë së Kosovës për ta emëruar në këtë post Shkumbin Hysenin.
Pikërisht për emërime nëpër borde është duke u hetuar Adem Grabovci. Deputeti i PDK-së dyshohet se ka dy vepra penale: shpërdorim i detyrës zyrtare dhe cenim i të drejtave kushtetuese të qytetarëve të Kosovës.
Dyshohet se kryerja e këtyre veprave i ka ndihmuar për t’i emëruar nëpër borde të ndërmarrjeve publike militantët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe njerëz të rrethit të tij.
Por, Hyseni, tash anëtar bordi në ARH, përveç ditës kur Grabovci është marrë në pyetje, ishte afër atij edhe në një ditë tjetër të rëndësishme.
Ajo ishte ditë feste për Grabovcin. Ishte 9 prilli i vitit 2013. Grabovci kishte ditëlindjen. I ishte bërë një befasi nga miqtë e tij. Hyseni ishte një prej ideatorëve për ta befasuar shefin për ditëlindje.
“Një falënderim të veçantë e shpreh për miqtë e mi: Drilon Mulliqi, Desara Peci e Albulena Shala, të cilët më befasuan me idenë dhe organizimin e ditëlindjes sime”, kishte shënuar Grabovci.
Shkumbin Hyseni, i pari nga e djathta.
Asistenti i Grabovcit ishte anëtar bordi në ndërmarrjen publike “Trainkos”
Shkumbin Hyseni nuk i është përgjigjur Insajderit në pyetjet se cilat kritere plotësoi dhe se a ka ndikuar afërsia me Grabovcin për t’u emëruar në këtë post publik.
Përgjigje nuk ka dhënë as Zyra e Kryeministrit në pyetjet se cilat kritere ishin përcaktuese që Hyseni të propozohej për këtë pozitë.
Komisioni parlamentar për zhvillim ekonomik është organi që vendos për procedimin për votim në parlament ose refuzim të emrave të propozuar nga Qeveria e Kosovës.
Anëtarët e këtij komisioni shqyrtojnë përgatitjet e kandidatëve. Insajderi ka siguruar CV-në e kandidatit Shkumbin Hyseni, e cila i është dorëzuar këtij komisioni.
Pjesa ku duhet të shënohet shkollimi është e zbrazët. Tek përvoja e punës, Hyseni ka shënuar se ka qenë anëtar bordi në Hekurudhat e Kosovës dhe në Trainkos. Në këtë pozitë ka qenë nga viti 2010 e deri më 2015.
Po ashtu, ka shënuar se ka punuar si menaxher i sektorit të projektimit urban dhe ndërtimor në një kompani private me bazë në Pejë.
Nuk ka shënuar askund se i ka shërbyer Grabovcit. Emri i tij si asistent i Grabovcit përmendet në një intervistë që shefi i tij ka dhënë për projektin “Oral History”, i cili realizohet nga Iniciativa e Historisë Gojore.
Grabovci ka dhënë një intervistë për këtë projekt. Intervista e tij është publikuar në faqen e këtij projekti dhe aty shënohen emrat e njerëzve prezent gjatë intervistimit. Shënohet se një prej njerëzve prezent ishte edhe Shkumbin Hyseni, asistent i Adem Grabovcit.
Deputetët nuk patën shumë kohë për të analizuar profilet e të nominuarve nga Qeveria
Rrugëtimi i Hysenit dhe të tjerëve drejt emërimit në krye të ARH-së është përcjellë me ankesa të deputetëve.
Kishte pasur ankesa se Qeveria e Kosovës nuk i ka lënë shumë kohë për të analizuar profilet e kandidatëve.
Më 27 shtator të këtij viti, ishte futur në rend dite shqyrtimi i propozimeve për anëtar të bordit të Autoritetit Rregullativ të Telekomit.
Propozimi i Qeverisë së Kosovës parashihte bordin e ARH në këtë përbërje: Arsim Berisha, kryesues, Shkumbin Hyseni, Ilmi Ahmeti, dhe Gëzim Qerimi, anëtarë.
Ishte miratuar më pas ky propozim. Por, njëri prej anëtarëve të komisionit për zhvillim ekonomik, deputeti Enver Hoti ishte ankuar.
Hoti kishte thënë se materiali kishte ardhur me vonesë në komision, pikërisht në ditën kur po diskutohej.
“…për pak kohë që ju referuam këtij materiali shihet se kandidatët nuk janë kompetentë për këtë fushë kaq të rëndësishme dhe vijnë nga profesione krejtësisht të ndryshme. Nuk paraqet seriozitet ky vendim që e ka sjellë Qeveria. Pastaj po dalin probleme në funksionimin dhe në ushtrimin e detyrave të cilët këta njerëz emërohen nëpër vendet e caktuara, e që janë shumë të rëndësishëm për drejtimin e këtyre autoriteteve. Këtu kemi kandidat me bacholer nga shkencat politike, gjë që nuk garantojnë ndonjë sukses që mund ta ushtrojnë në aspektin profesional për të cilin do të ngarkohet”, pati pohuar Hoti, bazuar në procesverbalin e publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit të Kosovës.
Ishte kundërshtuar nga deputeti Muhamet Mustafa, kryetar i komisionit.
“Kemi një me biznes menaxhment, dy inxhinierë dhe një me shkenca politike. Por kanë përvojë në sektor. Ky është një sektor që kërkon njohuri specifike të një rëndësie shumë të madhe për vendin”, ka pohuar Mustafa.
Megjithatë, Hoti kishte kërkuar nga Mustafa të informonte komisionin, nëse për këto pozita kishte konkurruar ndonjë person më kompetent.
Mustafa i kishte sugjeruar që të pyesë në Qeveri për kandidatët që nuk janë përzgjedhur.
Kishte kundërshtuar edhe deputeti Rrustem Berisha.
“Ky Bord është i rëndësishëm dhe ne kemi marrë materialin shumë vonë për ta dhënë rekomandimin pro apo kundër. Pajtona me vendimin për ta shtyrë për disa ditë pasi që ne kemi kohë të informohemi më shumë qe vota jonë të jetë e drejtë”, kishte pohuar Berisha.
Mbledhja e ardhshme është mbajtur më 4 tetor.
Kryetari i komisionit, deputeti Mustafa, kishte thënë se debati është zhvilluar mbledhjen e kaluar dhe kishte propozuar që të kalohet në votim. Propozimi i Qeveria ka kaluar me gjashtë vota pro dhe një abstenim.
Disa javë më pas, Kuvendi i Kosovës me shumicë votash kishte miratuar propozimin e Qeverisë që Hyseni të emërohet në postin e anëtarit të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Telekomit.