Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin janar 2021, viti bazë 2015=100.
Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 0.5% në muajin janar 2021.
Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 0.5% në muajin janar 2021, krahasuar me muajin dhjetor 2020. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (0.7%); pemë (0.9%); perime (6.1%); pije alkoolike (1.7%); duhan (0.8%); përdorim i pajisjeve për transportin personal (3.7%) – “ngritje e çmimeve të naftës dhe benzinës”, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.8 për qind në IHÇK.
Ndërsa, rënie e çmimeve vërehet te nëngrupet e COICOP-it: qumësht, djathë dhe vezë (-0.5%); energji elektrike (-10.5%) – zbritja e çmimit të energjisë elektrike ka ardhur nga zbatimi i Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, Covid -19, Nr. 07/L-016, Neni 15, për periudhën janar – maj 2021, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.3 për qind) në IHÇK.
Norma vjetore e inflacionit, e matur në muajin janar 2021 me muajin janar 2020, ishte (-0.2%).
Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit pësoi rënie në një mesatare prej (-0.2) për qind në muajin janar 2021, krahasuar me muajin janar 2020. Kjo kryesisht është shpjeguar me rënien e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: pemë (-13.4%); perime (-8.4%); veshje (-3.4%); energji elektrike (-10.8%); qelqurinat, takëmet dhe mjetet e kuzhinës (-4.3%); blerje e automjeteve (-1.4%); përdorim i pajisjeve për transportin personal
(-9.9%) – “rënie e çmimeve të naftës dhe benzinës”, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-1.9) për qind në IHÇK.
Ndërsa, ngritje e çmimeve në këtë periudhë vërehet te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (2.6%); mish (0.6%); qumësht, djathë dhe vezë (3.2%); vajra dhe yndyra (7.3%); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (2.3%); ujë, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (0.7%); pije alkoolike (2.2%); duhan (2.8%); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (2.6%); produkte mjekësore, aparaturë dhe pajisje (2.3%); shërbime për transport (2.3%) – “ngritje e çmimeve të biletave të transportit ajror”, shërbimet telefonike dhe të telefaksit (20.3%); shërbime hoteliere (1.6%); kujdes personal (1.1%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.7 për qind në IHÇK.