ASK-ja prezantoi raportet tematike nga Regjistrimi i Popullsisë 2024

Prishtinë | 03 Kor 2025 | 15:48 | Nga Ekonomia Online

Agjencia e Statistikave të Kosovës prezantoi raportet tematike nga Regjistrimi i
Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave 2024 në një punëtori, ku morën pjesë përfaqësues të komunave të Kosovë, të ministrive të linjës, Policisë së Kosovës dhe UNFPA-së. Po ashtu, të pranishëm ishin edhe ekspertët ndërkombëtarë, të angazhuar për analizën e rezultateve.

Drejtori ekzekutiv i ASK-së, Avni Kastrati, duke falënderuar stafin e ASK-së, të gjitha komunat, Policinë e Kosovës dhe akterët e tjerë për Republika e Kosovës, tha se falë angazhimit të madh dhe punës intensive të stafit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), rezultatet e para filluan të publikohen që nga dhjetori i vitit 2024- vetëm gjashtë muaj pas përfundimit të procesit të regjistrimit në terren.

Qëllimi i këtij takimi ishte se pavarësisht publikimit të disa të dhënave përfundimtare, ASK-ja po
vazhdon të marrë kërkesa të shumta, pothuajse në baza ditore, për të dhëna më të detajuara nga
Regjistrimi i Popullsisë 2024.

Në këtë kontekst, ASK-ja ka planifikuar të organizojë disa takime me përdoruesit e të dhënave, me qëllim krijimin e një dialogu të hapur dhe të drejtpërdrejtë.

Përmes këtyre takimeve, ASK-ja synon të sigurohet që të dhënat e Regjistrimit të jenë të qasshme dhe të përshtatura sa më mirë me nevojat e përdoruesve, duke mundësuar kështu përdorimin e tyre efektiv dhe të informuar në vendimmarrje dhe analiza të ndryshme.

Kastrati foli edhe për metodologjinë e Regjistrimit (ReKos2024) dhe sigurinë e të dhënave, duke potencuar përfitimet kryesore të aplikimit të teknologjisë informative (përmirësimin e cilësisë dhe saktësisë së të dhënave, Shpejtësisë dhe efikasitetit në përpunimin dhe analizën e të dhënave, si dhe rritjen e transparencës dhe besueshmërisë së rezultateve) si dhe për publikimin e të dhënave specifike sipas kërkesave që mund të kenë komunat dhe institucionet e tjera.

Gjatë kësaj punëtorie u prezantuan: “Të dhënat demografike sipas komunave” dhe “Të dhënat për
Banesat dhe Ndërtesat në Kosovë sipas Komunave” nga Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive
Familjare dhe Banesave (ReKos2024).

Po ashtu, u prezantua edhe Platforma ASKData (https://askdata.rks-gov.net) dhe mënyra se si
qytetarët, komunat dhe institucionet mund të qasen në të dhënat e Regjistrimit, ku u morën shembuj
konkretë të përdorimit të të dhënave në nivel komune dhe vendbanimi, përfshirë analizën e
ndryshimeve demografike ndër vite dhe strukturën e popullsisë sipas moshës dhe gjinisë.
Gjatë punëtorisë u zhvillua edhe një diskutim i hapur me pjesëmarrësit.

Të ngjashme