‘Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin shtator 2022 me muajin shtator 2021 është 12.7 për qind”.
Kështu thuhet në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në raportin e publikuar të martën “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin shtator 2022”
Rënie e çmimeve të konsumit për muajin shtator ka pasur në këto kategori pushime të organizuara (-13.0%); karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (-5.9%); shërbimet për transport (-4.7%) “rënie e çmimeve të biletave të transportit ajror”; pemët (-3.2%); energjia elektrike (-1.1%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.6 për qind) në IHÇK.
ASK-ja ka treguar edhe për çmimet e konsumit që kanë shënuar rritje gjatë shtatorit që më së shumti rritje kanë shënuar lëndët djegëse.
“Lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (9.2%); mobile dhe orendi, qilima dhe mbulesa të tjera dyshemeje (2.5%); perime (2.0%); mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (1.5%); bukë dhe drithëra (0.7%); mish (0.6%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.4 për qind në IHÇK”, thuhet në raport.
Kosova po përballet me rritje të çmimeve, sidomos për produktet esenciale.
Sipas Bankës Botërore, si tërësi inflacioni kalon mbi 19 për qind.
E tashmë së fundmi është raportuar për çmime të larta edhe për drunjët, si lëndë tradicionale e ngrohjes gjatë dimrit.
Ministria e Ekonomisë ka publikuar disa masa për subvencionimin e lëndëve djegëse që nuk janë energji elektrike.