ASK: Në dhjetor u shtrenjtuan qumështi, perimet, duhani…

Prishtinë | 12 Jan 2017 | 16:34 | Nga

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin dhjetor të vitit 2016.

Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit në vend është më i lartë për 0.4% në muajin dhjetor 2016, krahasuar me muajin nëntor 2016. Ngritja e indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit vërehet te nëngrupet e COICOP-it: qumështi, djathi dhe vezët (2.1%); perimet (6.2%); duhani (2.2%); përdorimi i pajisjeve për transportin personal (1.0%)-(ngritje e çmimit të naftës dhe benzinës) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.5 për qind në IHÇK.

Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve te nëngrupi i bukës dhe drithërave për (-0.8%) me një ndikim prej (-0.1%) në IHÇK.

Shkalla e inflacionit e matur në muajin dhjetor 2016 me muajin dhjetor 2015 ishte 1.3%.

Indeksi i harmonizuar i tërësishëm i çmimeve të konsumit është më i lartë për 1.3% në muajin dhjetor 2016, krahasuar me muajin dhjetor 2015. Në këtë periudhë vërehen disa ndryshime të çmimeve të artikujve dhe shërbimeve te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it. Ngritje e çmimeve vërehet te nëngrupet: mish (1.0%); qumësht, djath dhe vezë (4.8%); sheqer dhe ëmbëlsira (9.4%); kafe, çaj dhe kakao (3.1%); duhan (8.3%); veshje (3.2%); rrymë, gaz dhe lëndë djegëse të tjera (1.0%); përdorim i pajisjeve për transportin personal (5.4%) – (ngritje e çmimit të naftës dhe benzinës), shërbimet për transport (6.3%) – (ngritje e çmimit të biletave me aeroplan), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.7% në IHÇK.

Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve në këtë periudhë, te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (-1.5%); perime (-4.0%); pajisje audio-vizuele, fotografike për përpunimin e informative (-3.4%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.4%) në IHÇK.

Shkalla mesatare vjetore e inflacionit në vitin 2016 ishte 0.3%.

Indeksi i harmonizuar i tërësishëm i çmimeve të konsumit në vend në vitin 2016 ishte më i lartë, në një mesatare prej 0.3%, krahasuar me vitin 2015. Ngritje e indeksit të çmimeve të konsumit në këtë periudhë është vërejtur te nëngrupet e COICOP-it: mish (1.5%); vajëra dhe yndyra (2.5%); sheqer dhe ëmbëlsira (8.8%); pije joalkoolike (1.8%); pije alkoolike (7.2%); duhan (8.8%); veshje (2.8%); orenditë dhe aparaturat, qilimat dhe shtrojat e tjera për dysheme (2.0%); prodhimet dhe pajisjet mjekësore (2.4%); shërbimet për transport (5.4%) – (ngritje e çmimit të biletave me aeroplan) me një ndikim të përbashkët prej 1.3% në IHÇK.

Kurse, rënie e indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit në këtë periudhë është vërejtur te nëngrupet: bukë dhe drithëra (-2.6%); pemë (-3.5%); perime (-6.1%); furnizim me ujë dhe shërbime të ndryshme, që kanë të bëjnë me vendbanimin (-4.5%); rrymë, gaz dhe lëndë djegëse të tjera (-2.7%); përshkallëzim i TVSH-së me 8.0% nga muaji shtator i vitit 2015 te disa artikuj dhe shërbime ka ndikuar në rënie të inflacionit në një masë prej (-0.4%) në vitin 2016; përdorim i pajisjeve për transportin personal (-4.7%), me një ndikim të përbashkët prej 1.0% në IHÇK.

Për më shumë detaje në publikimin vjetor të IHÇK-së për vitin 2016 do të informoheni në qershor të vitit 2017.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme