Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin nëntor të vitit 2017.
Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit prej muajit janar 2016 publikohet me vitin bazë 2015=100
Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit në vend është më i lartë për 0.1% në muajin nëntor 2017, krahasuar me muajin tetor 2017. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: perime (2.0%); rrymë, gaz dhe lëndë të tjera djegëse (0.7%)-(ngritje e çmimit të drunjve për ngrohje për 4.4%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.2% në IHÇK.
Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve të konsumit te nëngrupi i pemëve për
(-4.0%) me një ndikim prej 0.1% në IHÇK.
Shkalla e inflacionit e matur në muajin nëntor 2017 me muajin nëntor 2016 ishte 0.9%.
Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë për 0.9% në muajin nëntor 2017, krahasuar me muajin nëntor 2016. Kjo kryesisht është shpjeguar me disa ndryshime të çmimeve të artikujve dhe shërbimeve te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it. Ngritje e çmimeve të konsumit vërehet te nëngrupet: bukë dhe drithëra (2.9%); mish (0.5%); qumësht, djath dhe vezë (1.2%); vajëra dhe yndyra (3.6%); pemë (12.8%); kafe, çaj dhe kakao (8.4%); ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (1.2%); duhan (6.0%); përdorim i pajisjeve për transportin personal (2.4%)-(ngritje e çmimit të naftës dhe benzinës) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.3% në IHÇK.
Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve te nëngrupet: rrymë, gaz dhe lëndë të tjera djegëse (-3.0%)-(rënie e çmimit të energjisë elektrike në muajin nëntor 2017 për
(-10.6%), krahasuar me tarifat dimërore të muajit nëntor të vitit 2016); blerja e automjeteve (-1.6%); pajisjet telefonike dhe të telefaksit (-8.8%); pajisjet audio-vizuele, fotografike për përpunimin e informatave (-6.5%); me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej
(-0.4%) në IHÇK.
ASK shpjegon se zbatimi i tarifave të reja me pakicë të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë nga 1 prilli i vitit 2017 të aprovuara nga Zyra e Rregullatorit për Energji të Republikës së Kosovës, të datës 31 mars 2017, është shkaku i ndryshimit të çmimit të energjisë elektrike në çdo muaj, të kalkulur nga Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KES/CO).