Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ka kërkuar shpjegim për marrëveshjen të cilën Serbia e nënshkroi në Nju Jork me Rusinë.
Hill tha se gjatë seancës së OKB-së, SHBA-ja kishte “diskutime jashtëzakonisht të mira dhe të frytshme për tema globale dhe të tjera politike” me delegacionin serb, por tha se pas kësaj dëgjuan për dokumentin e nënshkruar me Rusinë.
“Vetëm pas kësaj ne dëgjuam përshkrimet e atij dokumenti, ai nuk është bërë ende publik, kështu që ne jemi ende duke pritur për këtë”, tha Hill pas një forumi rajonal mbi qeverisjen e mirë dhe politikat anti-korrupsion në kohë pasigurie gjeopolitike, raportoi RTS.
Ambasadori Hill tha se askush nuk duhet të nënshkruajë asgjë me Rusinë në këtë moment, përcjell Gazeta Express.
“Prandaj është shumë e vështirë për ne ta kuptojmë ekzistencën e një dokumenti të tillë, por shpresojmë dhe presim që të dëgjojmë më shumë për të dhe të shpjegohet në një farë mënyre”, tha ambasadori amerikan.
“Shtetet e Bashkuara gjithashtu llogarisin që Serbia ta shoh pamjen më të gjerë dhe ne e mbështesim atë në qëllimin e saj të vetëshpallur, të bëhet anëtare, të afrohet më shumë me BE-në. Ne gjithashtu mbështesim dhe presim që Serbia të bëjë diçka për të diversifikuar burimet e saj të energjisë he ta zvogëlojë varësinë e saj nga Rusia, e cila bazohet kryesisht në masat e shantazhit dhe presionit”, shtoi Hill.
“Ne duam të dëgjojmë se çfarë dëshiron të bëjë Serbia në të ardhmen dhe të shohim se çfarë marrëdhëniesh do të zhvillojë me një vend që ka sulmuar brutalisht fqinjin e tij dhe madje përdor kërcënime për të përdorur armët bërthamore”, tha Hill.
Ai ritheksoi se duan të kuptojnë “se në çfarë bazohen marrëdhëniet e bashkëpunimit ndërmjet Serbisë dhe Rusisë”.