Grupi i qytetarëve të organizuar nën parullën “Asnji cent ma shumë”, kanë njoftuar se janë distancuar nga protesta e nesërme kundër shtrenjtimit të rrymës.
Nëpërmjet një kumtese për media ky grup bën të ditur se protesta nuk organizohet nga ta dhe se PSD-ja po bën konfuzë qytetarët.
“Kjo protestë është e thirrur nga Partia Socialdemokrate. Ky informim u bë i domosdoshëm pasi nëpër rrugët e Prishtinës janë ngjitur postera dhe janë shpërndarë fletushka me informatat e protestës të thirrur nga PSD, pa vendosur askund logon e tyre apo ndonjë shenjë tjetër identifikimi të tyre si organizatorë. Këtë gjë ne e lexojmë si akt të qëllimshëm i cili synon synon t’i konfuzojë qytetarët lidhur me organizimin e nesërm”.
Mes tjerash ky grup ka shprehur edhe shqetësimin e tij, për sulmet që sipas tyre po i bëhen nga militantët e PSD-së.
“Ne shprehim gjithashtu shqetësimin për sulmet e vazhdueshme mediale të militantëve të PSD-së ndaj aktivistëve/eve dhe qytetarëve/eve të protestës “ASNJI CENT MA SHUMË!”. Gjatë kësaj jave ne e kemi parë një fushatë të egër të PSD-së për ta deligjitimuar organizimin kolektiv për ta kundërshtuar rritjen e energjisë, duke shpifur dhe keqinformuar publikun. Përveç propagandës mediale, PSD është angazhuar aktivisht në sabotimin e organizimit qytetarë rreth kauzës së mos-shtrejtimit të çmimit të energjisë, çka është duke na dëshmuar edhe një herë nevojën që kjo kauzë t’ju mbetet qytetarëve, e jo partive”.
Po ashtu ky grup i qytetarëve thotë se insistojnë që kjo protestë të mbetet kauzë qytetare dhe të mos ndërhyjë politika.
“Ne insistojmë që kjo kauzë, aq esenciale për të gjithë/a ne, duhet të mbetet kauzë qytetare. Çdo ndërhyrje nga partitë politike do ta dëmtojë këtë kauzë, duke e shndërruar atë në mjet të rritjes elektorale dhe pazareve politike. Andaj, ne mbesim të vendosur/a që të vazhdojmë me organizimin dhe qëndresën tonë kundrejt kësaj padrejtësie e cila është duke na u kanosur. Protestat tona dhe përpjekjet për parandalimin e rritjes së çmimit të energjisë do të vazhdojnë deri në fitoren tonë. Kjo betejë na takon neve -qytetarëve, andaj ju ftojmë të gjithë/a që të na bashkoheni në organizim dhe në rrugë” thuhet në kumtesë.
Klankosova.tv ka kontaktuar nga PSD-ja, Nol Nushin dhe Natyra Kuçin, por të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm.